Transmetuar më 06-09-2023, 15:03

Policia ka vendosur në pranga një nga personat e shpallur në kërkim gjatë operacionit “Golden Bullet”.

Avokati Alban Bengasi u arrestua në aerportin e Rinasit nga efektivët e policisë.

Ai akuzohet për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.

Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Policia informon se ‘në vijim të megaoperacionit policor i koduar “Golden Bullet” në hyrje, në aeroportin e Rinasit, gjatë përpunimit të dokumentacionit të pasagjerëve, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe ndaluar shtetasin A. B.

Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.

Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.