
Real Madridi nuk do ta ketë Kylian Mbappe për të dytin afat kalimtar veror të transferimeve. Pasi 24-vjeçari francez vendosi të mos e aktivizonte opsionin për ta zgjatur kontratën e tij me parizienët deri në vitin 2025, shumë supozuan se ai po shkonte te “Los Blancos”.
Për më tepër, PSG e përjashtoi përkohësisht nga ekipi kampionin e botës më 2018, ndaj Mbappe e humbi turneun veror në Azi. Megjithatë, ai u integrua përsëri në skuadër, pas largimit të Neymar Jr.
Më pas erdhën Ousmane Dembélé dhe Randal Kolo Muani, prurje të cilat duket se e kanë kthyer humorin tek ylli francez. Gjithsesi, edhe pa marrë Mbappe, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti është i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion.
Ai doli para mediave, në prag të ndeshjes kundër Getafe, një sfidë me të cilën Real Madridi do të kthehet në “Bernabeu” 90 ditë më vonë, dhe deklaroi mes të tjerash: "Jam shumë i kënaqur me këtë Real Madrid, është shumë konkurrues. Kemi hasur probleme, por duke pasur një skuadër të mirë mund t’i zëvendësojmë të gjithë. Ne kemi burime për të konkurruar kundër kujtdo.
Ne jemi shumë të lumtur që po kthehemi në ‘Bernabeu’, i cili ka një fytyrë të re. Është shumë e rëndësishme të kthehemi te tifozët tanë pas tri fitoreve dhe të jemi në gjendje t’iu ofrojmë atyre një rezultat të mirë.
Bellingham? Tifozët do të jenë të kënaqur ta shohin atë drejtpërdrejt në stadium. Ai ka një personalitet kaq të fortë sa njerëzit do të jenë të lumtur ta shijojnë duke luajtur. Pa Vinicius, të dëmtuar, humbasim një lojtar shumë vendimtar. Ideja e lojës nuk ndryshon, sistemi nuk ndryshon. Ne do ta zëvendësojmë atë me një lojtar tjetër.
Shorti i Champions League? Napoli bëri shumë mirë sezonin e kaluar. Ata kanë të njëjtën skuadër me trajner të ri dhe konkurrojnë shumë mirë. Unión Berlin është një ekip shumë i mirë në tërësi, por veçanërisht në mbrojtje. Duhet ta respektojmë edhe Bragën, sepse të gjitha ekipet portugeze luajnë mirë.
Mbappe? Nuk flas, sepse ai është lojtar i PSG-së. Po sikur ta ulja rrogën time për ta pasur Mbappe te Real Madridi? Jo, çfarë janë këto pyetje?! Unë nuk e di se çfarë lidhje ka paga ime me ardhjen e tij këtu. Pastaj ai është një lojtar i PSG".
Ekzekutuesit e penalltive? Kjo varet nga ndeshjet. Joselu i ekzekuton shumë mirë, Modric dhe Vinicius gjithashtu. Nëse ata janë të gjithë në fushë, ky është rendi".