
Massimiliano Allegri ka folur në një intervistë të gjatë me “Dazn Heroes”. Trajneri tregoi zgjedhjen e tij për t’u rikthyer te Juventusi dhe vështirësitë e hasura në sezonet e fundit: "U ktheva me një program të saktë, prandaj kisha një kontratë 4-vjeçare me Agnellin. Në dy sezonet e fundit nuk kemi fituar asgjë. Vitin e parë mendova se do të ishte më e lehtë të fitoja sërish, por ndoshta ishte një gabim supozimi.
Puna e bërë në vitet e fundit ka qenë e mirë, qëllimi ishte rinovimi i ekipit. Pas një karriere të rëndësishme në sektorin e të rinjve, kanë ardhur disa lojtarë nga gjenerata e ardhshme. Këtë vit kemi shtatë prej tyre në ekipin e parë. Ka pasur një rënie të ndjeshme të pagave dhe një rritje të vlerës së aseteve (lojtarëve). Juve e ka fatin e vet në dorë. Kam pasur edhe oferta të tjera, por nuk doja ta braktisja një ekip që për pesë vite bëmë historinë bashkë. Ishte një sfidë personale, si dhe zgjedhje emocionale sepse kam një djalë që jeton në Torino”.
Allegri u rikthye në sezonin e kaluar, i karakterizuar nga penalitetet edhe në renditje: "Kemi përjetuar një situatë surreale; e kuptoj që ishte e lehtë të kritikoje dhe gjykoje nga jashtë. Dhjetë minuta para ndeshjes, në Empoli mbërriti lajmi se do të na hiqnin përfundimisht 10 pikë nga renditja. Në ashtu momentesh ka emocione, kuptohet gjendje shpirtërore. Lotët në Udine? Nga jashtë më shihni si të ngrirë, por nuk është kështu. Në Orlando, për shembull, takova Matuidin. U përqafuam dhe u preka”.
Trajneri më pas foli për repartin e tij sulmues: "Këtë vit Chiesa do të shënojë nga 14 deri në 16 gola, ka besimin tim të plotë. Ai duhet të bindë veten se është një sulmues, sepse është i tillë. Chiesa duhet të përmirësohet duke ardhur për të luajtur më shumë brenda fushës dhe qëndruar në lojë për më shumë minuta. Yildiz? Për sa i përket gjuajtjes në portë, ai është i tmerrshëm, është me të vërtetë i frikshëm. Ai preu flokët, është shumë i zgjuar për të parashikuar. Më falënderoi dhe të martën u shfaq mirë. Pastaj i thashë: Nëse flokët të lëvizin në fushë, kthehu te parukierja.
Vlahovic? Të mos harrojmë një gjë: ai ka ardhur me përgjegjësi dhe presion, që as vetë nuk e imagjinonte. Ai duhej ta merrte Juventusin mbi supe, por është 23 vjeç. Duhet t’i japim kohë për t’u pjekur. Ka cilësi të jashtëzakonshme golashënuese, por duhet të përmirësohet në lojën me ekipin. Mund të na japë një dorë të madhe, sepse ka edhe një këmbë të mirë. Ai e di, sepse ia kam thënë prej një viti e gjysmë. Këtë sezon po përmirësohet, sepse është më mirë fizikisht”.
Më pas trajneri komentoi epokën e re të Juventusit: "Çdo vit ne bëjmë vlerësime dhe trajnerët japin direktiva për stafin. Vitin e kaluar kishim një ekip që luante një ndeshje çdo tri ditë, çka është krejtësisht e ndryshme, siç janë karakteristikat tona. Mosha mesatare është rritur në 25 vjeç. Qëllimi është të garojmë më shumë se të tjerët, të punojmë me lojtarët dhe me intensitetin e duhur. Nuk duhet të jemi të shkujdesur, sepse të Juve nuk të falet gabimi. Pra, kemi një ekip ndryshe nga sezoni i kaluar”.
Allegri iu përgjigj kështu pyetjeve mbi tregun e transferimeve: "Jemi mirë kështu, nuk duam askënd. Kemi Vlahovic, që pati një vit të vështirë, tashmë mund të bëjë më mirë. Edhe Chiesa po rikuperohet nga një dëmtim, mund të jetë si nënshkrim i ri, njësoj edhe Pogba. Kur luan dhe bën stërvitje, ai është një lojtar i ndryshëm nga të tjerët, me gjithë respektin e duhur. Do të isha i lumtur ta kisha atë ngadalë gati, sepse është dikush që ndryshon ekuilibrin".
Allegri përfundoi: "Rabiot është vërtet i jashtëzakonshëm, ka një motor të ndryshëm nga të tjerët. Ai ka mësuar të shënojë gola, beson më shumë në veten e tij. Është rritur dhe ka arritur pjekurinë. Mendoj se mund të bëjë edhe më mirë këtë vit, jo për sa iu përket golave, sepse ka shënuar shumë. Më jep një kënaqësi të madhe, mënyra e tij e vrapimit është tashmë fantastike. Si e binda të qëndronte? Nuk e telefonova, sepse nuk përgjigjet.
I shkrova vetëm në Whatsapp duke e pyetur nëse është mirë dhe ai u gëzua, m’u përgjigj me buzëqeshje. Ka bërë zgjedhjen e duhur, sepse te Juventusi është i rëndësishëm në dhomat e zhveshjes. Di Maria? Ai ishte i jashtëzakonshëm, por pata fati e keq ta stërvitja në moshën 35-vjeçare. Ai e dërgonte topin aty ku të tjerët as që e mendonin dot. Fatkeqësisht, duhej të luanim me ritmin e tij, por jo të gjithë i kishin cilësitë e tij teknike”.