Transmetuar më 26-08-2023, 10:52

Sot nis zyrtarisht kampionati i 85-të kombëtar i futbollit, Kategoria Superiore. Dy ndeshjet e kësaj të shtune, të vlefshme për javën e parë, janë Egnatia-Skënderbeu (17:00) dhe Vllaznia-Kukësi (20:00). Me këtë rast, kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka shpërndarë mesazhin e urimit për të gjithë garuesit, duke ju dëshiruar rrugëtim plot rivalitet, "fair play":

"Të dashur futbollistë, futbolliste, trajnerë, mjekë, fizioterapistë, përgatitës atletik, video-analistë, arbitra, vëzhgues, zyrtarë e drejtues klubesh, shumë të nderuar tifozë dhe ju dashamirës të futbollit.

Nisim sot edicionin e 85-të të “Abissnet Superiores”, rrugëtimin e një kapitulli plot emocione dhe adrenalinë që dhuron futbolli. Një kampionat i ri që jam i sigurt se do të jetë shumë konkurrues, edhe më i bukur se ai i sezonit të kaluar, duke na ofruar përmes ndeshjeve adrenalinë dhe garë të lartë, respekt në fushën e lojës mes kundërshtarëve ashtu siç i ka hije lojës tonë të bukur.

Pas një jave nis një Kategori e Parë e formatuar, me 12 skuadra të rëndësishme të futbollit shqiptar, plot histori e traditë, me infrastrukturë më të mirë dhe padiskutim do të na dhurojnë emocione të mëdha.

Për të vazhduar më pas me Kategorinë e Dytë, kampionatet e vajzave dhe ato të moshave që këtë sezon do të kenë për herë të parë edhe një kampionat për grupmoshën U-16 që i bashkëngjitet garave nga U-7, U-9, U-11, U-13, U-14, U-15, U-17 dhe U-19 duke plotësuar të gjithë panoramën e kompeticioneve në futbollin e moshave.

Ky edicion i ri në “Abissnet Superiore” do të ketë një risi të madhe me formatin e ri “Final 4” ku katër skuadrat e para do të garojnë ndërmjet tyre për të përcaktuar skuadrën kampione, në një garë që synon ta bëj kampionatin gjithmonë e më shumë atraktiv, më konkurrues edhe ta bëj garën të luftuar deri në sekondën e fundit.

Jam besimplotë se ky ndryshim i miratuar për këtë sezon do të jetë një histori suksesi dhe do të ndihmojë shumë klubet tona në drejtimin sportiv, duke qenë se do të luajnë ndeshje me kundërshtar të fortë, me presion të madh për rezultatin, ku kërkohet përqendrim maksimal, siç janë ndeshjet në kompeticionet europiane, dhe kjo do t’i rrisë më shumë klubet dhe veçanërisht lojtarët.

Nga ky kampionat me këtë format të ri do të dalin skuadra dhe klube padiskutim më cilësore e më të fortë. Vetëm nëpërmjet një gare të fortë, me më shumë ndeshjeje kompetitive do të jemi më konkurues në nivel rajonal dhe atë europian. Këto janë premisat nga të cilat jemi nisur dhe kjo formulë e re i garanton këto.

Produkti “Abissnet Superiore” për tre sezonet e ardhshme ka edhe një transmtues të ri, MCN TV, që çdo javë do të sjellë emocionet e futbollit shqiptar në shtëpitë e gjithësecilit që pret të luajë skuadra e tij. Dëshiroj ti falenderoj për kontributin e tyre në të mirë të futbollit tonë dhe i siguroj se do të gjejnë tek FSHF një partner ambicioz që punon çdo orë dhe ditë për të përmirësuar e zhvilluar lojën tonë magjike.

Në nisje të këtij sezoni të ri futbollistik kam një mesazh edhe për klubet tona të të gjithë niveleve. Të ndërtojnë projekte sportivë afatgjatë me objektiva të rëndësishëm sepse kjo është e vetmja rrugë drejt suksesit dhe të qenit konkurrues brenda dhe jashtë vendit. Një punë shumë e madhe kërkohet edhe me akademitë në futbollin e bazës ku me bindje them se kanë përpara një thesar shumë pak të eksploruar.

Miqtë e mi,

Federata Shqiptare e Futbollit edhe këtë vit do të vazhdoj mbështetjen e saj financiare dhe logjistike për futbollin e fëmijëve dhe atë të vajzave. Në muajin shtator rikthehet edicioni i dytë i “Uniforma Ime” që do të pajisë përsëri me bazën e nevojshme materiale për stërvitje dhe ndeshje çdo djalë apo vajzë që luan futboll në të gjithë territorin e vendit.

Ky projekt është një ndihmë e madhe për klubet e futbollit, akademitë, shoqatat por mbi të gjitha për familjet shqiptare që do të kenë një mbështetje të pakufizuar nga FSHF për të rritur fëmijë më të mirë dhe më të shëndetshëm pranë futbollit.

Projekti Topi Yt është në vitin e tij të shtatë dhe çdo klub futbolli në çdo kategori që merr pjesë merr nga Federata e Futbollit topin e lojës dhe stërvitjes falas duke i lehtësuar nga një tjetër kosto e rëndësishme.

Ne kemi punuar me objektiva të qartë në mënyrë që kostot për ata që luajnë futboll në vendin tonë të jenë zero për të rritur dhe masivizuar akoma më shumë sportin më të dashur të shqiptarëve. Ky vit është special për ne sepse pas dekadash rikthejmë futbollin në shkollat tona. Falë mbështetjes së FIFA-s, që na besoi duke na bërë nga vëndet e para në botë ku fillon ky program, nga shtatori në 116 shkolla 9 vjeçare në të gjithë vendin do të fillojë zbatimi i projektit “Futbolli në Shkolla”.

Përfshirjen e futbollit në programin shkollor në të gjithë vendin Federata e Futbollit e ka pasur dhe e ka në themel të strategjisë së saj “Futbolli për Kombin 2025”. Nuk kam asnjë dyshim që ky program do të rrisë dhe masivizojë më shumë futbollin tonë.

Vazhdojmë pa ndalur dhe projektin e ndërtimit të 100 fushave në të gjithë vendin. Sot Qarkut Sportiv Tiranë i janë shtuar 4 fusha të reja ndërkohë që puna vazhdon në Shkodër, Lezhë, Laç, Lushnje, Fier e Berat për të krijuar më shumë hapësira që të përdoren nga të rinjtë dhe klubet tona.

Paralelisht me projektet infrastrukturore, kemi ndërmarrë një reformë të thellë dhe kemi hartuar projekte të rëndësishme për punën që duhet të bëjmë për talentet e rinj në të gjithë vendin. Nën drejtimin e Departamentit Teknik, Qendrat e reja të performancës në 8 Shoqatat Rajonale të Futbollit do të ndihmojnë të gjithë lojtarët dhe lojtaret e talentuara për tu rritur në të gjithë komponetët fizik-teknik-taktik duke i shërbyer drejtpërsëdrejti lojtarëve, klubeve por edhe skuadrave tona kombëtare dhe Rajonale.

Synimi jonë është të krijojmë të gjithë hapësirat dhe mundësitë për një shoqëri që luan më shumë sport, jo vetëm profesionist por edhe atë amator. Edhe këtë vit do të zgjerojmë më shumë kompeticionet amatore për 5×5, 9×9, veteranët por edhe ato për personat me aftësi ndryshe për të pasur sa më shumë njerëz të përfshirë në magjinë e futbollit.

Në këtë mesazh timin në nisje të këtij edicioni futbollistik nuk mund të mos ndalesha për të përshëndetur elementin më të bukur të garës, lojtarin e 12-të të çdo skuadre, tifozerinë. Ata janë energjia e domosdoshme për të ecur përpara dhe i japin jehonë garave tona. Jam i bindur se këtë sezon do të rrisin më shumë praninë e tyre në shkallët e stadiumeve tona dhe sëbashku me punën e mirë që duhet të bëjnë klubet do ti japin një emocion të madh garave tona e ti kthejmë stadiumet tona në një vend të pranuar për të gjithë ku familjet shqiptare të kalojnë orë të bukura pranë futbollit.

Dua të përshëndes dhe ti uroj punë të mbarë mediave, gazetarëve, kritikëve tanë të fushës dhe reklamuesve të mëdhenj të produktit tonë. Faleminderit për gjithçka bëni në punën tuaj. Dëshiroj t’ju siguroj se do dëgjojmë me kujdes e vëmëndje çdo kritikë apo sugjerim tuajin në të mirë të futbollit tonë dhe do të punojmë bashkarisht për një sezon fantastik. Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit i uroj të gjithë aktorëve dhe faktorëve shumë suksese në këtë sezon të ri dhe shumë Fair-Play!"