Transmetuar më 24-08-2023, 08:29

Ndeshja e “play 0ff”-it për kampionët e Shqipërisë mbërriti. Sot është sfida e parë ndaj Astana, në Kazakistan. Duhet sforco e fundit e Partizanit për të bërë historinë në Kupat e Europës, për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të “Conference League”. Kundërshtari është i fortë, por me mobilizim dhe përqendrim maksimal, ecuria positive e deritanishme, në tre raunde, mund të vazhdojë. Në konferencën për shtyp para kësaj sfide të largët, trajneri Zoran Zekic do të shprehej ndër të tjera:

Nëse Astana nuk fiton ndaj Partizanit do të jetë një tragjedi për klubin kazakistanas. A është e njëjta gjë edhe për klubin tuaj?

Kemi të njëjtën situatë përpara çdo ndeshjeje, madje edhe ndaj skuadrës së Andorrës, Atletic Club Escaldes, por ky është futbolli. Sigurisht, në këtë moment Astana është favorite. Shpresoj se jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje, pres performancën më të mirë nga skuadra ime.

Keni fituar në dy raundet e fundit të Ligës së Konferencës. A e konsideroni Astana një kundërshtar më të vështirë se të mëparshmit?

Sigurisht që po. Me siguri nuk e keni parë ndeshjen tonë ndaj Valmieras, nuk ishte e lehtë. Ishte një ndeshje e luftuar fort. Edhe këtu na pret një përballje e fortë, por kemi një motiv të madh. Stadiumi është i mrekullueshëm , kundërshtari është i fortë, me shumë eksperiencë në kompeticionet evropiane.

Cilin nga lojtarët e Astana njihni dhe si është gjendja e skuadrës së Partizanit?

Njoh Tomasov, pasi kur isha tek Osijek, ai ishte pjesë e ekipit te Rijekës. Gjithashtu njoh Loncar dhe portierin Condric. Më e rëndësishme për ne është të luajmë si skuadër. Nëse luajmë si skuadër jam i bindur 100% që do të kemi shumë kualitet në fushë.

Astana luan shumë mirë në shtëpi, por humbet ndeshjet në trasfertë. Si e keni përgatitur këtë ballafaqim?

Do ta luajmë sfidën e parë në Astana. Udhëtimi ishte i gjatë dhe i lodhshëm, por duhet të luajmë me përqendrim dhe qetësi. Astana ka eksperiencë të gjerë në Europë. Më duhet edhe të përmend tapetin e veçantë që ka në stadiumin e Astanës.

Drejtoni një skuadër me lojtarë të rinj, e cila për të parën herë ka mundësi të kualifikohet në fazën e grupeve. A mund të presim një Partizan agresiv, që jep gjithçka për rezultatin pozitiv?

Ne nuk kemi shumë eksperiencë në kompeticionet europiane, por kemi me të vërtetë shumë motivim. Për fat të keq, nuk mund të vrapoj në fushë, t’i ndihmoj lojtarët, por jemi të përgatitur mirë. Shpresoj që skuadra të bëjë mirë.

Atanaskoski ka luajtur më parë në Kazakistan. A keni folur me të për Astana?

Ai nuk udhëtoi për këtu, pasi ka marrë kartonë të verdhë. Unë kam mjaftueshëm informacion rreth Astana, sidomos për faktin se kam ndjekur ndeshjet ndaj Dinamo Zagreb dhe Ludogorets.

Në kanalet tuaja sociale kemi parë që ekipi është pritur nga disa tifozë në aeroport…

Partizani është një klub i madh, shumë sportdashës mbështetin ekipin tonë, sidomos në Shqipëri. Do të vini dhe shihni stadiumin tonë, se si tifozët tanë e mbështetin ekipin. Fakti që ata janë të “sëmurë” pas ndesh është absolutisht normal.