Transmetuar më 21-08-2023, 14:34

Nga Ylli MANJANI

Njoftimi i SPAK sipas të cilit "është gjetur origjinali i kontratës së koncensionit, por jo në Ministrinë e Shëndetësisë", është edhe më i rëndë. (Më i rëndë jo për SPAK, po për ngjarjen) Është konfirmim që nuk ka një kontratë ligjore të vlefshme në fuqi.

Kontrata, që të jetë e vlefshme do duhej të ishte e rregjistruar në protokollin zyrtar të ministrisë. Vetëm pas këtij momenti dokumenti i nënshkruar bëhet akt nga ku fillojnë pasojat juridike. Numri i protolollit dhe vula e ministrisë e bëjnë dokumentin autentik dhe sigurisht origjinal.

Qartësisht duket që kontrata nuk është regjistruar as në protokoll, ndaj s’ka sesi të gjendet edhe në arkivë. Mosgjetja e këtij akti në protokollin dhe arkivën e Ministrisë së Shëndetësisë, si ministri burimore e aktit, e bën vetë aktin pa fuqi ligjore.

SPAK në këto kushte duhet menjëherë të urdhërojë ndalimin e pagesave nga thesari, i cili nuk dihet se me ç’akt ka bërë pagesat dhe të urdhërojë kthimin e çdo qindarke të paguar mbrapsht në buxhet.

Deklarimet e tipit "e gjeta Vangjel" janë për skenar filmash dhe jo për qëndrime zyrtare. E përsëris, dokumenti i nënshkruar nga ministri, nuk bëhet dot akt pa u regjistruar në protokoll dhe pa marrë vulën e institucionit burimor.

Nëse kontrata nuk gjendet e regjistruar në protokollin dhe më pas në arkivën e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk është zyrtare.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd