Transmetuar më 17-08-2023, 22:44

Nis ditën e nesërme dhe për 1 javë rresht Pelegrinazhi i madh i Bektashinjve në malin e Tomorrit. Për të shmangur pikërisht problemet në lidhje me këtë organizim të madh dhe për të siguruar që gjithçka të shkojë mirë, DVP Berat ka ndërmarrë një plan të detajuar masash.

Policia e Beratit në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, në bazë të një plani të detajuar masash, janë angazhuar plotësisht me qëllim sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë rrugore, lëvizjen e qarkullimit normal të mjeteve e këmbësorëve në rrugë dhe në zonat turistike, gjatë zhvillimit të pelegrinazhit në “Malin e Tomorrit”.

Ka qenë Zëvendës Drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat,Drejtues Luan Mema, ai që në një komunikim për mediat ka bërë me dije se,policia e Beratit ka marrë një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë pelegrinazhit në malin e Tomorrit.

Mema ka deklaruar se, ky plan ka si objektiva: parandalimin e aksidenteve rrugore, garantimin e qarkullimit të lehtësuar të përdoruesve të akseve rrugore të qarkut si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të pelegrinazhit në malin e Tomorrit, pelegrinazh i cili do të zhvillohet gjatë periudhës 18-25 Gusht 2023. Në zbatim të këtij plani masash-ka thënë Mema-janë planëzuar shërbime shtesë në të gjitha akseve rrugore që të çojnë në malin e Tomorrit si dhe në ambientet e jashtme të objektit të kultit (Teqesë) në këtë mal. Ai ka shpjeguar edhe intenerarin e lëvizjes së mjeteve gjatë ngjitjes dhe zbritjes nga mali si dhe kufizimet e qarkullimit.

INTENERARI:

-Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të malit të Tomorrit (drejt teqesë) do të jetë: “Hyrja e qytetit të Beratit–Rrethrrotullimi i Kombinatit–Unaza e qytetit–Rrethrrotullimi i Uznovës–Kryqëzimi i Plirëzit–Teqeja e Kulmakut”.

-Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga mali i Tomorrit ( nga teqeja) do të jenë: “Teqeja e Kulmakut-Bargullaz-Pronovik–Poliçan–Uznovë-Rruga kryesore “Antipatrea”–Rrethrrotullimi i Kombinatit” dhe “Teqeja e Kulmakut–Novaj-Bogovë-Poliçan-Uznovë-Rruga kryesore “Antipatrea”–Rrethrrotullimi i Kombinatit”.

-Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohen të përdorin aksin rrugor “Çorovodë–Gjerbës–Teqeja e Kulmakut” dhe anasjellas.

KUFIZIMET:

-Për mjetet: Në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë-Berat”, ”Ura Kuçit–Dimal-Berat”, “Pobrat-Dimal-Berat”, ”Berat-Mali i Tomorrit”, ”Berat-Çorovodë” dhe ”Çorovodë-Gjerbës-Mali i Tomorrit”, nuk do të lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë, nga ora 06:00 – 24:00, gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit.

-Autobusët, furgonat me mbi 8 persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin rrugor “Plirëz –Teqeja e Kulmakut–Mali i Tomorrit”.

-Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz-Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë,dhe nuk do të lejohen parakalimet. Gjithashtu, janë të ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve, në akset rrugore. Drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë, për vendet ku do të lejohet qëndrimi dhe parkimi i mjeteve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd