Transmetuar më 09-08-2023, 19:20

Një nga emrat e njohur dhe të nderuar të mjekësisë shqiptare, Agron Panariti është ndarë nga jeta sot në moshën 74-vjeçare.

Pas një beteje të gjatë me leuceminë, mjeku infeksionist dhe profesori i Universitetit të Mjekësisë mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët dhe të gjithë ata që patën kënaqësinë dhe nderin të punojnë dhe mësojnë nga ai.

Lajmi u mësua nga familjarët ndërsa miq e tij kanë ndarë lajmin e hidhur në facebook.

Miqtë e tij e përshkruajnë Agronin si një njeri me zemër të madhe dhe një legjendë e një epoke miqsh që nuk vjen më.

“Çtë shkruaj për ty Agron Panariti.. Njeriu i të gjithëve, mjeku humanist, që e doje bluzën e bardhë dhe pacientin deri në vetmohim, zemërfloriri dhe legjenda e një epoke miqsh që nuk vjen më. Fluturove, ike përgjithmonë. Parajsa është lumturuar sot, me vajtimin dhe trishtimin tonë të pamate.Të qoftë dheu i lehtë. Përherë në zemrat tona. Rest in peace,MIK”, shkruan doktoresha Lida Shosha.

Agron Panariti ka qenë një nga figurat e njohura të mjekësisë shqiptare. Gjithashtu, ai ka qenë dekan edhe në Universitetin e Mjekësisë.