Transmetuar më 08-08-2023, 09:35

Nga Ylli Manjani

E pranoj kulturën e sigurimit. Në kushtet e tregut të lirë, mbrojtja nga rrisqet bëhet domosdoshmëri. Askush nuk ta ka borxh të të zëvendësojë shtëpinë kur ta dëmton tërmeti apo djeg zjarri. As të të japë lekë kur të sëmuresh. Ndaj unë e pranoj kulturën e sigurimit. Por kulturën ama, jo diktatin.

Sigurimi i detyrueshëm i banesave është dhunë. Nuk ka asnjë lidhje me tregun e lirë. Me këtë ligj qeveria nga njëra anë merr me dhunë para shtesë nga buxhetet e familjeve, nga ana tjetër shtetëzon tregun e sigurimeve. Masë e pastër komuniste!

Masë e cila në thelb pason sjelljen edhe më komuniste ku shteti shpërndan shtëpi me paratë e buxhetit. E vërteta është që kultura e sigurimit të banesave është e ulët. Edhe kultura e sigurimit të shëndetit thuasje njësoj.

Por këtë kulturë e bashkë me të edhe tregun e kanë shkatërruar ndërhyrjet arbitrare dhe anti-treg të qeverisë. Tregu privat i sigurimeve është shumë herë më i sigurtë sesa sigurimi me detyrim. Shihni kolapsin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore që janë me detyrim.

Tregu privat është domosdoshmëri, është konkurrencë, është zhvillim. Por ky treg ka nevojë për kulturën publike. Se nuk ka sesi të zhvillohet kultura dhe tregu i sigurimeve private kur qeveria jep lekë për kurime në spitale private a të huaja dhe lekë për shtëpi.

Qeveria menaxhon emergjencën, por nuk iu gjen njerëzve shtëpi. As u jep para për trajtime shëndetësore. Nëse qeveria e mbyll këtë shteg, njerëzit privatisht do t’iu drejtohen sigurimeve private. Po nëse qeveria ndërhyn në treg, duke i siguruar njerëzit se di t’u japë para, kjo gjë nuk ndodh.

Tani ka ardhur pika që qeveria nuk ka më para për të shpërndarë, gjasme në emër të tërmetit, por për qoka elektorale (në dy palë zgjedhjet e fundit u shpërndanë masivisht para tërmeti). Ndaj shpiket sigurimi me detyrim. Pra, synohet krijimi i një buxheti alternativ që të mund të përdoret, gjithashtu për qoka politike, por me formulën "qe lala durt".

Shkurt, sigurimi i detyrueshem është ndërhyrje e dhunshme në treg; shkel parimin e barazisë para ligjit; legjitimon ndërhyrjen politike të qeverisë në tregun e lirë; shkatërron përfundimisht kulturën e sigurimit në tregun privat; dëmton parimin e konkurrencës dhe të ekonomisë së lirë.

Kjo ndërhyrje e dhunshme vendos detyrime esktra fiskale për shërbime që nuk i përfitojmë, ose të paktën jo të gjithë njësoj; shpall banesën e çdo shqiptari si rrezik, pavarësisht se rreziku mund të jetë shumë i ulët, etj, etj. Ky është një ligj komunist, që duhet neveritur. Meqë jemi në konsultë publike…

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd