Transmetuar më 15-06-2023, 11:28

Nuk ka asnjë statujë të Jacques Chirac të Francës në kryeqytetin e Kosovës, asnjë shesh me emrin Gerhard Schröder dhe asnjë bulevard për Javier Solana të Spanjës.

Gjithsesi aty mund të gjenden nderime të tilla për Bill Clinton, Madeleine Albright dhe liderët e tjerë amerikanë që udhëhoqën fushatën e bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999 për të parandaluar forcat serbe që të masakrojnë popullsinë shqiptare të Kosovës.

Përderisa shumë vende anëtare kontribuuan në operacionin e NATO-s, kosovarët nuk kanë iluzione se kush i shpëtoi realisht nga gjenocidi.

“Falë SHBA-ve, ne kemi lirinë dhe demokracinë tonë dhe kemi mundur të ndërtojmë shtetin e Kosovës”, i tha kryeministri i atëhershëm i vendit, Ramush Haradinaj, Clintonit në një ceremoni për përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 2019.

Pak ka ndryshuar në gati 25 vjet që nga veprimi i NATO-s.

Sido që të jetë, Evropa sot është më e varur nga siguria amerikane sesa atëherë.

Kur Gjermania ishte ende e shqetësuar vitin e kaluar se rusët mund të mërziteshin nëse i shisnin Ukrainës automjete luftarake të këmbësorisë të epokës 1970 të çmontuara, Washingtoni po dërgonte tashmë armatim të rëndë.

Që nga pushtimi gjithëpërfshirës i Rusisë në Ukrainë vitin e kaluar, SHBA ka kryer ndihma ushtarake prej më shumë se 43 miliardë euro, dukshëm më shumë se të gjitha vendet evropiane së bashku, sipas të dhënave të përpiluara nga Instituti gjerman për Ekonominë Botërore.

Franca, presidenti i së cilës Emmanuel Macron ka fantazuar prej vitesh për “autonominë strategjike” evropiane, ka kontribuar në një total prej 447 milionë eurosh, megjithëse vendi ka premtuar armë shtesë që nga shkurti.

Krahasoni atë me Republikën Çeke, një vend më pak se një e pesta e madhësisë së Francës, e cila ka ofruar ndihmë ushtarake me vlerë 566 milionë eurosh.

Përfundimi për Evropën është se pa ndihmën e SHBA-ve për Ukrainën, flamuri rus do të valonte nga Kherson në Lviv dhe trupat ruse do të qëndronin në rojë në kufirin e BE-së nga Baltiku në Detin e Zi.

Në të vërtetë, ishte frika nga ai skenar që e bindi kancelarin gjerman, Olaf Scholz, vetëm disa ditë pas pushtimit rus që të angazhohej për të shpenzuar 100 miliardë euro për riarmatimin e Gjermanisë si pjesë e asaj që ai e quajti Zeitenwende, një pikë kthese.

Pavarësisht premtimit, buxheti i mbrojtjes i Gjermanisë mbetet shumë nën objektivin e NATO-s prej dy për qind të PBB-së.

Vitin e kaluar është rritur me 0.1 për qind në 1.6 për qind të PBB-së.

Të mërkurën, qeveria gjermane prezantoi strategjinë e saj të re të sigurisë duke kërkuar që shpenzimet e mbrojtjes të rriten në dy për qind të PBB-së.

Gjermania, pas disa muajsh zvarritjeje, ka përshpejtuar në mënyrë dramatike ndihmën ushtarake që po i dërgon Ukrainës.

Edhe pse ende pas SHBA-ve me një diferencë të madhe, Gjermania është në vendin e dytë në Evropë pas Britanisë, që ka premtuar se do të dërgojë 4.2 miliardë euro pajisje në Ukrainë deri në fund të këtij viti.

Megjithatë, një vit më pas, shumica e parave të Zeitenwende nuk janë shpenzuar ende – dhe prodhuesit e armëve evropiane thonë se nuk do të angazhohen për hapjen e fabrikave të reja derisa të nënshkruajnë kontrata afatgjata qeveritare.

Edhe atëherë, shumë nga ato para nuk do të shkojnë në Ukrainë, por për të zëvendësuar pajisjet e vjetruara të Bundeswehr-it.

Pra, pse askush në Berlin nuk është vërtet kaq i shqetësuar?

Sepse ashtu si kosovarët, ata besojnë se mund të mbështeten te Amerika – pavarësisht dridhjeve të shkaktuara nga presidenca e Donald Trump.

Vendet evropiane mbështeten te SHBA-të për gjithçka, nga mbrojtja nën ombrellën e saj bërthamore, prania e trupave të saj në kontinent deri te blerja e avionëve luftarakë dhe plumbave.

Edhe Polonia, e cila synon të shpenzojë katër për qind të PBB-së për mbrojtjen këtë vit, po blen tanke, avionë luftarakë dhe sisteme artilerie raketore nga SHBA – dhe nuk ka ndërmend të shkojë e vetme kur të përballet me Rusinë.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara është themeli absolut i sigurisë sonë”, tha kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.

Pavarësisht nga të gjitha deklaratat madhështore të liderëve evropianë për qëndrimin vetëm, vendet evropiane ende shpenzojnë më shumë se gjysmën e buxheteve të tyre për pajisjet e SHBA-ve.

(Holanda shpenzon 95 për qind).

Ka pak prova që kjo do të ndryshojnë, pavarësisht thirrjeve nga udhëheqës si Macron që vendet të shpenzojnë eurot e tyre ushtarake në shtëpi.

Kjo do të thotë se SHBA-të mbeten aleati i domosdoshëm.

Ose siç ka thënë ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova: Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqtë tanë perëndimorë.