Transmetuar më 08-06-2023, 17:03

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako doli sot para Gjykatës së Posaçme. Seanca nisi në orën 10:00 dhe për Dakon u vendos masa e “arrestit me burg”.

Bashkë me Dakon u arrestuan edhe disa zyrtarë të tjerë të Bashkisë si dhe një ndërtues, ndërsa tre të tjerë u lanë me masën e arrestit shtëpiak.

Dako akuzohet për dy raste të shpërdorimit të detyrës.

Rasti i parë ka të bëjë për një pallat 11 katësh që u dëmtua nga tërmeti në 2019.

Kanë qenë disa familje që depozituan një kallëzim në SPAK me pretendimin se objekti i ndërtuar në 2012 nga Fiqiri Farruku pësoi dëmtime të pa rikuperueshme.

Sipas hetimeve edhe pse bashkia miratoi lejen për ndërtimin e 7 kateve në vitin 2010, ndërtuesi dorëzoi një kërkesë të dytë për të miratuar edhe 4 kate të tjera shtesë.

Edhe pse për këtë aplikim të dytë Bashkia e Durrësit nuk miratoi lejen, punimet me 4 kate shtesë kanë përfunduar në 2012. Rasti i dytë ka të bëjë me një tender për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare në qytetin e Durrësit që i shkaktoi një dëm buxhetit të shtetit prej 180 milionë lekësh.

Sipas Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Kjo shumë parash është përfituar padrejtësisht nga shoqëria projektuese. Gazetari Ermal Vija raporton se policia po kryen kontrolle për personat e shpallur në kërkim.

“Është një operacion në zhvillim e sipër ku policia ende nuk ka bërë shpalljen në kërkim ndërkombëtar.

Është duke bërë kontrolle në banesat e tyre apo në vendet ku dyshohet se mund të qëndrojnë dhe deri në këtë fazë të operacionit, nuk është bërë shpallja në kërkim të këtyre.”, tha gazetari.

Të arrestuar

Vangjush Dako “Arrest në burg” Fiqiri Farruku “Arrest në burg” Adriana Bulgu “Arrest në burg” Adnand Toçila “Arrest në burg” Meri Semini “Arrest në shtëpi” Ferzilet Hajderi “Arrest në shtëpi”

Në kërkim

Ermal Lama “Arrest në burg” Adlei Likmeta “Arrest në burg” Fatmir Jeupi “Arrest në burg” Diana Dedaj “Arrest shtëpie”