Transmetuar më 04-06-2023, 07:53

ROSKOVEC- Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka arrestuar një zjarrfikës në Roskovec për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Mësohet se në pranga ka rënë 22-vjeçari E.Sh. I riu u kap me 13 doza kokaine, një peshore elektrike si dhe para. Ndërkohë që gjatë kontrollin në banesën e tij u gjet edhe një armë gjuetie tip "Çifte".

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier- Berat) njofton se ka arrestuar E. SH., 22 vjeç, me detyrë Zjarrfikës në M.Z.SH Roskovec, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Arrestimi i tij u krye pasi gjatë kontrollit të kryer nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Berat në automjetin Honda Civic që ai drejtonte, u gjetën 13 doza kokaine dhe një peshore elektronike, dy aparate telefonike celularë, një kartmonedhë me prerje 50 euro dhe 1000 lekë.

Gjithashtu gjatë kontrollit të kryer nga specialistët e AMP në banesën e shtetasit E. SH. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri “Çifte” dhe dy aparatë telefonikë celularë. Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.