Transmetuar më 03-06-2023, 16:07

BULQIZE- 50 persona në fshatin Gjoricë të Bulqizës i janë drejtuar qendrës shëndetësore të këtij fshati me shenja helmimi.

Personat në fjalë të cilët janë të moshave të ndryshme, kanë shfaqur simptoma të njëjta si të vjella e diarre.

Bëhet fjalë për të paktën 50 persona nga familje të ndryshme, që janë paraqitur për ndihmë mjekësore në Qendrën Shëndetësore Gjoricë.

Dyshimet e para janë se helmimi ka ardhur si rezultat i kontaminimit të ujit të pijshëm, i rrjetit të ujësjellësit, që furnizon gjithë Gjoricën, bëjnë me dije burime për "BalkanWeb".

Ende nuk dihen shkaqet të cilat kanë sjellë ndotjen e ujit. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, ka marrë mostrat e ujit për t’ju bërë analizat, ku ka rezultuar se uji është i ndotur.

Po kështu, banorëve iu është kërkuar që të mos konsumojnë për momentin ujë nga rrjeti i ujësjellësit, derisa situata të marrë zgjidhje nga organet përgjegjëse.