Transmetuar më 03-06-2023, 08:39

Sergio Ramos nuk do të vazhdojë te PSG. Qendërmbrojtësi sevilian do t’i japë fund kohës së tij në Francë, pas dy sezonesh, pasi skuadra pariziene e ka komunikuar këtë “divorc” me një mesazh zyrtar mbrëmjen e së premtes.

“Merci, Ramos”, – ka cituar shënimi zyrtar nga skuadra franceze, në të cilin falënderojnë shërbimet e ofruara nga lojtari 37-vjeçar spanjoll, të cilit kontrata i përfundon më 30 qershor. Tani, Ramos do të bëhet lojtar i lirë dhe do të kërkojë një aventurë të re profesionale.

"Pas mbërritjes në Paris më 8 korrik 2021, "SR4", një profesionist i vërtetë, ka sjellë përvojë, disiplinë dhe shpirt konkurrues, të ushqyer nga ndjenja e sakrificës dhe uria për t’i fituar të gjitha. Në 57 ndeshje, ai që konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave, shënoi 5 gola për PSG, duke përfshirë të parin më 23 janar 2022 në ligë kundër Stade de Reims.

Nga 28 nëntor 2021 deri më 1 janar 2023 ai mbeti i pamposhtur me klubin, me 34 ndeshje pa humbje. PSG është i kënaqur që ka parë Sergio Ramos të mbrojë ngjyrat tona me kaq vendosmëri dhe i uron sinqerisht të gjitha të mirat për pjesën tjetër të karrierës së tij”, – thuhet në deklaratë.

Menjëherë pas kësaj, vetë Sergio Ramos ka konfirmuar në rrjetet e tij sociale lamtumirën e tij me skuadrën franceze me një mesazh falënderimi: "Nesër (sot) do të jetë një ditë e veçantë, do t’i them lamtumirë një tjetër faze të jetës sime, lamtumirë PSG-së. Nuk e di në sa vende mund të ndihem si në shtëpinë time, por, pa dyshim, PSG, tifozët e saj dhe Parisi kanë ka qenë njëra prej tyre për mua”.

PSG, kampion i Ligue 1, e mbyll këtë sezon sonte në “Parc des Princes”. Një ditë me nuanca lamtumire. Asaj të Lionel Messit do t’i shtohet edhe lamtumira e Ramos.

Tani është koha për të vendosur për Sergio Ramos. Pas largimit nga Real Madridi dhe nisjes së aventurës pariziene, qendërmbrojtësi do të kërkojë një destinacion të ri në moshën 37-vjeçare. Shumë sy janë kthyer nga Arabia Saudite, një vend që tashmë ka Cristiano Ronaldon në Ligën e vet dhe është duke luftuar për të marrë, ndër të tjera, Lionel Messin.