Transmetuar më 03-06-2023, 16:53

Kemi dëgjuar rrallë për kriminelë që shfaqin pendesë, sidomos kur i kanë marrë jetën një njeriu. Tony Peralta nga New Mexico është një prej tyre.

Edhe pse i dyshuar për vrasjen e pronarit të tij William Blodgett në Dhjetor të 2008-ës, ai nuk u prangos kurrë pasi nuk kishte fakte për ta provuar një gjë të tillë. Por, pas 15 vitesh Peralta vendosi ta rrëfejë vetë krimin që kishte kryer.

Mediat e huaja shkruajnë se muajin e kaluar, 37-vjeçari mori hua një telefon dhe komunikoi me policinë duke e thënë hapur se ai kishte vrarë pronarin e tij.

“Shumë njerëz kanë një justifikim, unë nuk kam,” i tha ai një detektivi. Autoritetet bëjnë me dije se në momentin që ai është arrestuar, ka përsëritur vazhdimisht se çfarë kishte bërë me detaje, që nga mënyra si e kishte vrarë e deri te vendi ku kishte varrosur trupin e të ndjerit.

“Jam lodhur duke e fshehur, jam lodhur me jetën time. Kam vrarë dikë e kupton, e vrava me kaçavidë!”, mësohet t’u ketë thënë i riu oficerëve të policisë. Gjatë momentit që rrëfehet, atij nuk i mungojnë as lotët.

“Ai ishte një njeri i mirë, ja mora jetën pa arsye”, shton ai më tej.

Ky rast ishte lënë në harresë prej kohësh pasi asnjë nga pistat nuk i kishte çuar hetuesit drejt zbulimit të së vërtetës. Më 3 Janar të 2009-ës ishte djali i viktimës, Greg ai që denoncoi zhdukjen e të atit.

Asokohe policia dyshoi te Peralta pasi ekzistonin dëshmi për një konflikt mes tij dhe pronarit. Peralta jetonte me qira në një nga banesat e viktimës, dhe e gjitha nisi kur ky i fundit i kërkoi të largohej.

Tashmë Peralta do të përballet me akuzën për vrasje të shkalllës së parë.