Transmetuar më 02-06-2023, 09:42

Katër orat "Rolex" do të qëndrojnë ende në dispozicion të Ilary Blasi (e cila do t’i mbajë në kujdestari). Pra, vazhdon beteja e vërtetë mes Francesco Totti dhe prezantueses italiane, pas ndarjes së tyre.

Kështu vendosi gjyqtari i gjykatës civile të Romës, i cili duke u shprehur për çështjen e posedimit të orëve të kushtueshme zgjodhi kujdestarinë e përbashkët të katër "Rolex" (me vlerë rreth 80 mijë euro), që përfunduan si "mollë sherri" në përplasjen pasmartesore.

Ish-kapiteni i Romës kishte kërkuar kthimin e tyre, duke qenë se pas ndarjes orët kishin mbetur në dispozicion të prezantueses televizive. Megjithatë, gjyqtari zgjodhi një vendim të ndërmjetëm: katër orët e çmuara duhet të mbeten në dispozicion të të dy ish-bashkëshortëve.

Në fakt, ajo që vendosi gjyqtari i gjykatës civile nuk ka të bëjë me pronësinë, por me disponueshmërinë e orëve. Dy ish-bashkëshortët në thelb do të mund t’i përdorin ato me marrëveshje (e cila nuk ekziston, ndaj i janë drejtuar gjykatës).

Pronësia e "Rolex" shumë të çmuar mund të marrë një formë tjetër në vazhdim të gjykimit me themel. Tani do t’u mbetet palëve të gjejnë një marrëveshje për përdorimin e "Rolex", të cilët mbeten në kujdestarinë e Ilary. Vetëkuptohet se Totti dhe Blasi do ta kundërshtojnë dispozitën kalimtare dhe do të kërkojnë vazhdimin e procedimit gjyqësor.

Episodi i "Rolex" pason kapituj të tjerë, tashmë të mbyllur, që kanë të bëjnë me pronat e shumta luksoze, të cilat përfunduan në qendër të divorcit të stuhishëm. Për shembull, vila në Eur, ku çifti jetoi vitet e martesës, iu dha Ilary nga një vendim provizor sërish nga gjykata civile.

Gjyqtarët, prillin e kaluar urdhëruan gjithashtu Tottin që të paguajë 12.500 euro në muaj për ish-gruan, në mbështetje të tre fëmijëve, me të cilët ajo jeton dhe kujdestaria e të cilëve ndahet. Nga ana tjetër, vendimi për qendrën sportive "Longaria" është ndryshe, një tjetër kapitull në mosmarrëveshjet e divorcit.

Në fakt, ish-kapiteni verdhekuq ka marrë urdhrin e dëbimit të njerëzve të prezantueses televizive, të cilët e menaxhojnë qendrën sportive prej vitesh. Urdhri do të zbatohet deri më 30 qershor dhe kërkon që kompania "Asd Longarina", e cila i përket motrës së prezantueses televizive, të largohet nga kompleksi sportiv, që përfshin gjithashtu shkollën e futbollit "Totti" dhe një zonë Padeli.