Transmetuar më 31-05-2023, 23:32

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, shprehet se në Britaninë e Madhe janë 1336 shtetas shqiptar që ndodhen në qelitë e paraburgimit në pritje të vendimit. I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Manja ka dhënë dhe më shumë detaje sa i përket marrëveshjes së arritur me Britaninë e Madhe për kthimin e të dënuarve në burgjet e Shqipërisë. Manja ka thënë se do të jenë gjykatat shqiptare që do të përcaktojnë pjesën e mbetur të dënimit të këtyre shtetasve.

Pjesë nga Intervista:

Blendi Fevziu: Çfarë po ndodh me të burgosurit në Britaninë e Madhe. Sa shqiptarë ka të burgosur në Britaninë e Madhe?

Ulsi Manja: 1336 shtetas shqiptarë që janë të paraburgosur në pritje të dënimit. Nuk ka vetëm shqitarë në burgjet e Britaninë së Madhe. Në raport me shtetasit e huaj që janë të paraburgosur në Britaninë e Madhe, shqiptarët kanë një numër të konsiderueshëm. Dinamika e veprave penale që jsanë të dënuar ose në hetim e sipër kanë të bëjnë në drogë, narko-trafiku. Ky është kryesisht natyra e veprave. Ka edhe krime kundër personit, kjo është kryesisht.

Blendi Fevziu: Çfarë marrëveshje keni arritur me Britaninë e Madhe?

Ulsi Manja: Marrëveshja që kemi arritur me Britaninë e Madhe merr në konsideratë vetëm shtetasit shqiptarë të dënuar me vendim të formës së prerë në Britaninë e Madhe. Marrëveshje teknike që pason marrëveshjen e vitit 2021 që është ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe që ka të bëjë me transferimin e të dënuarve shqiptarë nga Britania e Madhe në Shqipëri për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Marrëveshja e 2021-shit nuk kishte një aneks teksnik se si do të zbatohej. Janë parashikuar kushtet ligjore të transferimit, por nuk kishte një marrëveshje.

Blendi Fevziu: Pra, e thënë ndryshe, një shtetas shqiptar i dënuar në Britaninë e Madhe me 10 vjet për një vepër penale që në Shqipëri dënohet 5 vjet, a do e rivlerësojë?

Ulsi Manja: Sigurisht, do të jenë gjykatat shqiptare ata që do të bëjnë konvertimin e dënimit. Ky transferim nuk do të jetë administrativ. Autoritetet e drejtësisë në Shqipëri do të bëjnë konvertimin e dënimit dhe do të përcaktojnë pjesën e mbetur të dënimit që ai do të duhet të vuajë në Shqipëri.