Transmetuar më 31-05-2023, 12:17

Nesër do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë. Në “Elbasan Arena”, prej orës 19:00, Tirana dhe Egnatia do të “përplasin brirët” mes tyre në sfidën përmbyllëse të këtij sezoni. Një finale që vlen trofeun e dytë kombëtar për nga rëndësia, sepse objektivin tjetër, Kupat e Europës, të dyja skuadrat e kanë siguruar tashmë përmes kampionatit.

Bardheblutë vijnë të goditur fort pas asaj që ndodhi në ndeshjen ndaj Bylisit, ku u dhunua arbitri kryesor, gjë që çoi në disa pezullime lojtarësh të Tiranës. Megjithatë, trajneri Orges Shehi nuk mendon për të shkuarën, fokusohet tërësisht te sfida e nesërme:

“Kupa e Shqipërisë? Është trofe dhe do të bëjmë maksimumin për ta fituar, edhe pse kemi kontingjent të paktë lojtarësh. Ky kompeticion do vlerësim, është trofe dhe shumë i rëndësishëm për të gjithë, sidomos për klubin e Tiranës. Kemi vështirësi, por nuk do të futemi në fushë duke qarë.

Do të futemi për të bërë mirë, pavarësisht kush është gati dhe jo për të luajtur. E kemi dhënë një reagim në ndeshjen e fundit, arritëm të fitonim ndaj Erzenit. Futbollistët u sollën në fushë si profesionistë dhe luajtën me agresivitet, pavarësisht gjërave që ndodhën.

Duhet të vazhdojmë dhe të luftojmë pasi është ndeshja e fundit e sezonit. Kemi statistikë të mirë me Egnatian, ka disa episode që mund të vendosin, si gjakftohtësia apo eksperienca në të tilla përballje. Mendoj se nuk është përcaktuese ajo që ka kaluar.

Të gjitha kontratat i kemi 1-vjeçare, përveç disa lojtarëve që e kanë 2 vite. Përsa i përket çështjes time, pas ditës së sotme më mbaron kontrata. Lajmet marrin dhenë, ka situata që për trajnerin mund të ndodhin në mes ose në fund të sezonit. Shkëndija e Tetovës? Është një klub i rëndësishëm, dhe kontaktet mes nesh kanë qenë edhe më përpara, por mendoj se gjithçka do të zgjidhet pas ditës së nesërme. Deri ditën e nesërme fokusi është te finalja e Kupës së Shqipërisë.

Unë nuk qahem, jam i vetëdijshëm që duhet të fokusohemi edhe tek e ardhmja. Është një punë e madhe me sakrificë, por shpresoj të fitojmë Kupën nesër. Unë kam fituar shumë trofe në karrierë, kam marrë shumë urime nga kolegë, si ato që merrja dikur si futbollist”.