Transmetuar më 31-05-2023, 11:00

Një Champions League i fituar me Guardiolën në stol në kohën e Barcelonës; një sezon si lojtar i Manchester City dhe dy sezone si asistent i Roberto Mancinit tek Interi. Me pak fjalë, askush nuk e pret finalen e Champions League mes Manchester City dhe Interit më shumë se Sylvinho më 10 qershor:

“Fatkeqësisht nuk do të shkoj dot në Stamboll, por do të jetë një ndeshje e mrekullueshme mes dy skuadrave që luajnë futboll ndryshe”.

Braziliani do ta ndjekë finalen nga televizori, ndërkohë që do të jetë i impenjuar me përgatitjet e dy kualifikueseve të Shqipërisë në qershor, ato ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, në kuadrin e “Euro 2024”.

“Arritja në finalen e Champions League nuk është diçka që ndodh çdo ditë. Të dyja ekipet kanë bërë një rrugëtim të çmendur. Ndoshta harrojmë se Interi u kualifikua në një grup ku ishin Bayern Munich dhe Barcelona, dy skuadra që fituan kampionatet e tyre përkatëse. Dhe pastaj kaluan derbin në gjysmëfinale, me pak fjalë ndeshje aspak të parëndësishme”, u shpreh 49-vjeçari, që u ndal edhe në krahasimin mes dy filozofive të lojës.

KRAHASIMI – “Guardiola ka vite që jep leksione futbolli te Manchester City dhe çdo sezon shton diçka. Edhe lojtarët janë rritur shumë. Ndërsa Interi është një ekip vdekjeprurës. Mbrohet me 3-5-2, por ka lojtarë të fortë fizikisht për të mbyllur hapësirat dhe për të rifilluar me një tranzicion cilësor.

Për ta përmbledhur: zikaltrit janë një ekip reagues. Jam i bindur se do të jetë e vështirë edhe për City të përballet me ta. Mos të mendojmë se Interi luan vetëm me top të gjatë dhe kundërsulme, jo, niset shumë mirë dhe mund të bëjë keq”.

KUJTIMET ME MANCHESTER CITY – “Kur përfunduam të pestët pas Totenhemit në sezonin 2009-2010, pra jashtë Champions League, presidenti hyri në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes së fundit dhe mori fjalën. Ne prisnim diçka të fortë, por jo, ai na tha se kishim bërë shumë mirë. Aty kuptova se ai po hidhte themelet e një dinastie fituese.

Ne lojtarët ishim të shkatërruar, por e kuptova që ekipi do të bëhej i madh. Tani City i mungon vetëm Champions League, por nuk ka një recetë për ta fituar atë. Ne me Pep fituam tripletën në Barcelonë, një trajner që na dha shumë në aspektin e ideve. Sot ai punon shumë edhe në fazën mbrojtëse, për mua është një gjeni i futbollit”.

FINALJA – “Thashë që nuk ka truk për ta ngritur trofeun. Çdokush mund të fitojë në 90 minuta, kjo është bukuria e futbollit: luan 11 kundër 11 dhe pjesa tjetër vijon vetë”.