Transmetuar më 29-05-2023, 10:22

Humbja kundër Milanit mbyll ëndrrën e Juventusit për kualifikim në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm, por Massimiliano Allegri nuk dëshiron të dëgjojë për “falimentim”: “Pas ndeshjes i falënderova djemtë, sepse në çdo rast ata patën një sezon të rëndësishëm, të jashtëzakonshëm. Duhet të përpiqemi ta mbyllim me nder në Udine.

Nuk ia uroj askujt një sezon të tillë, pikërisht sepse u gjendën në mjaft vështirësi. Herë na hiqnin pikë, herë na i shtonin dhe hiqnin sërish; duhej të luanim brenda dhe jashtë fushës. Sonte nuk ka asgjë për të folur, sepse ndeshja u bë për atë që ne mund të bënim. Ishte një sezon anormal.

Unë mendoj se kjo është në sytë e të gjithëve, pastaj nëse shikoni renditjen dhe thoni se Juventusi ka pasur një sezon të keq, nuk e pranojmë. Në çdo rast Juventusi grumbulloi 69 pikë me të gjitha vështirësitë, le të mos flasim për atë që ndodhi vetëm në fushë”.

Edhe ndaj Milanit, ekipit bardhezi i mungonte energjia nervore për një ndeshje kaq të rëndësishme: “Ne kemi mbetur pa energji, sezoni ka përfunduar në Seville, për fat të keq. Është keq të thuhet, por kështu ndodhi për sa i përket energjisë mendore, që është ajo që ka rëndësi. Edhe sonte luajtëm mirë, shfaqëm mungesë qartësie pranë zonës kundërshtare, më pas gabuam në një krosim dhe Giroud shënoi gol të jashtëzakonshëm.

Por ishte një gol që mund ta shmangnim. I falënderova djemtë për gjithçka që bënë, sepse nuk ishte e lehtë. Një grup tjetër djemsh nuk do të kishte 69 pikë, por 50, kështu që duhet të jeni krenarë dhe t’i falënderoni ata për çfarë kanë bërë. Duke thënë këtë, mbaj mend që Juventusi grumbulloi 69 pikë dhe për momentin, nëse vlerësojmë atë që ndodhi në fushë, do të ishim në Champions League”.

Një analizë paraprake sezonale: "Mendoj se kemi bërë një punë të mirë. Këtë vit luajtën 5 lojtarë të rinj, financiarisht është gjë e mirë për klubin. Kur u ktheva, e dija se do të ishte e vështirë të fitoja, përndryshe do të kisha shkuar diku tjetër. Ka skuadra që kanë kaluar 6 vite pa hyrë në top 4.

Jemi penalizuar për disa gjëra; futbolli na ka marrë shumë këtë vit, por do të dalim më të fortë. Të gjithë mund ta shohin se këtë vit, disa skuadra do të arrijnë në Champions League falë penalizimit tonë (zbritjes 10 pikë nga renditja)”.

Po kur do të jetë në gjendje Juventusi të fitojë përsëri. “Të mos ngatërrojmë ambicien me të qenit gati për të fituar. Juventusi ka pasur një cikël të rëndësishëm, më pas nuk ka fituar për 3 vite dhe këtë vit ka ndodhur gjithçka e më shumë. Le ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”, – përfundon Allegri.