Transmetuar më 28-05-2023, 09:38

Kur koshi i plehrave vlen më shumë se kasaforta

Nga Ylli Manjani

Guvernatori Fullani humbi punën, u ndoq penalisht e madje edhe u arrestua disa ditë, vetëm se në invetarin e monedhave të nxjerra jashtë përdorimi mungonin disa.

U ndëshkua Guvernatori sepse disa punonjës të shërbimeve mbështetëse në Bankë vodhën kartmonedha jashtë përdorimi, gjithsej rreth 7 milionë dollarë (kundërvlefta e lekëve të vjedhura nga koshi i plehrave).

Kjo ishte nën drejtësinë e "vjetër" e "të korruptuar".

Sot më drejtësinë e re, të reformuar sa më s’ka, Banka e Shtetit humb ashiqare të paktën 150 milionë euro në aktivitet tregëtar, ku Banka nuk presupozohet të humbë. Banka e shtetit nuk ka qëllim tregtar.

Rezerva financiare që Banka e ruan me ligj për një ditë të keqe, ka rënë nga 30 miliardë lekë në më pak se 5 miliardë.

Ama Guvernatorit të sotëm dhe askujt tjetër në Bankë NUK I HYN GJEMB NË KËMBË!!!

Unë nuk kërkoj burgosjen e askujt, por për barazi para ligjit dhe përgjegjësi para detyrës publike: Guvernatori largohet nga ajo detyrë.

E pra dëmi që i ka ardhur bankës sot është rrezikshmërisht më i lartë sesa monedhat jashtë përdorimi të vjedhura dje.

Dje vodhën koshin e plehrave dhe u mbajt përgjegjësi. Sot kanë prekur kasafortën, por hiç përgjegjësi.

Ky është dallimi!

Mos na ndodhtë ndonjë emergjencë financiare se rezerva e Bankës paska shkuar për lesh.

E çuditshme është se edhe lajmi për këtë dëm skandaloz financiar nuk merr aspak jehonë mediatike.

Zot bëje mirë!

Se për këtë shtet jemi të mbaruar.

***

Banka e Shqipërisë mbylli vitin 2022 me humbje rekord prej 31.2 miliardë lekësh, përkundrejt humbjeve prej 1.9 miliardë lekësh të regjistruara në vitin 2021. Humbjet erdhën si pasojë e rritjes së shpejtë të interesave në tregun vendës dhe atë ndërkombëtar, gjë që ul vlerën aktuale të titujve të borxhit të mbajtura nga ky institucion financiar, si dhe nga ndryshimet në kursin e këmbimit, konkretisht, forcimit të konsiderueshëm të lekut përkundrejt euros dhe dollarit, monedhat në të cilat mbahet një pjesë e aseteve të bankës qendrore të vendit.

Banka e Shqipërisë ka një total asetesh prej 732 miliardë lekësh nga të cilat, 485 miliardë janë të investuara në tituj borxhi, përfshirë borxhe të qeverisë shqiptare. Ndërsa interesat e titujve të borxhit u rritën me shpejtësi vitin e kaluar, vlera aktuale e titujve të borxhit të mbajtura nga BSH nga blerjet e viteve të mëparshme, ra. Kjo bëri që vlera e instrumenteve të borxhit të mbajtura nga BSH të ulej me 13.5 miliardë lekë, një tendencë që vijon që nga viti i kaluar. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë humbi nga tregtimi i titujve të borxhit 4.2 miliardë lekë.

Si pasojë e humbjeve, rezervat dhe kapitali i Bankës së Shqipërisë ranë nga 30 miliardë lekë në vitin 2021, në pak më shumë se 5 miliardë lekë në vitin 2022.