Transmetuar më 26-05-2023, 12:36

Tiranë- Gjykata lë në burg Milena Deraj, 30-vjeçaren e akuzuar për mashtrim të qytetarëve.

Gjithçka duket se ajo e arriti duke shfrytëzuar disa foto në institucionet shtetërore shqiptare, si dhe CV si punonjëse e Bankës së Shqipërisë. Kaq mjaftuan që ajo të mashtronte duke përfituar rreth 600 mijë euro.

Milena Deraj prej një viti nuk punonte më si ekonomiste në Bankën e Shqipërisë, por megjithatë ajo bindi një biznesmene nga Divjaka se vazhdonte ta bënte këtë punë duke i zhvatur 230 mijë euro kundrejt premtimit se do t’i konvertonte në bono thesari.

Me paratë e marra 30-vjeçarja kishte blerë apartamente në Tepelenë. ‘Uria’ për para nuk u shua me shumën e majme dhe Milena Deraj i hyri një rruge të rrezikshme në të cilën e futi dhe veten në kurth.

30 vjeçarja ra në kontakt me Hasan Veracakun dhe dy bijtë e tij duke iu zhvatur 340 mijë euro me premtimin se do u mbyllte procesin gjyqësor për vrasjen e katërfishtë të ndodhur në Velipojë.

Më 26 qershor të vitit 2021 konflikti për hapësirën e plazhit mes dy familjeve pronare hotelesh në Velipojë, Ferracakëve dhe Gocajve solli vrasjen e 4 personave. Viktimat e ngjarjes ishin biznesmeni i njohur i zonës, Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit Xhovani Gocaj e Edmond Gocaj dhe punonjësi i hotelit,17 vjeçari Myzerim Zeneli, i cili ishte në ditën e parë të punës.

Kur premtimi nuk u mbajt familja Veracaku kërcënoi 30 vjeçaren për vetëgjygjësi çka e solli konfliktin e tyre para policisë. Milena Deraj u arrestua me akuzën e mashtrimit me shuma të mëdha ndërsa Hasan Verarracaku dhe dy bijtë u shpallën në kërkim.