Transmetuar më 26-05-2023, 08:57

TIRANË- Pasi tentuan që t’i arrestonin ditën e djeshme pas protestës në Kuvend, 2 persona civil që pretendonin se ishin punonjës të policisë kanë shkuar natën vonë në ambientet e selisë së Lëvizjes Bashkë. Në videon e xhiruar nga aktivistët shihen dy persona, që sipas tyre ishin punonjës policie dhe kishin shkuar në ambientet e selisë, për tu kujtuar aktivistëve se duhet që të paraqiten në polici mëngjesin e sotëm. Aktivistët e Lëvizjes Bashkë protestuan ditën e djeshme para selisë së Kuvendit, pasi deputetët votuan projektligjin për dyfishimin e rrugës së tyre, ministrave, kryetares së Kuvendit dhe kryeministrit.

Postimi i Lëvizjes Bashkë:

CIVILË QË PRETENDOJNË SE JANË POLICË PARAQITEN SËRISH NË SELINË E LËVIZJES BASHKË Sot në mbrëmje në selinë e Lëvizjes BASHKË u paraqitën dy civilë që pretendonin se ishin punonjës të policisë së shtetit. Pak më larg qëndronte një grup civilësh të tjerë. Arsyeja e pretenduar e pranisë së tyre ishte "kujtesa" që 8 aktivistë të Lëvizjes BASHKË të shkonin në polici për krimin e tmerrshëm të protestës paqësore përpara Kuvendit, ku hodhëm në ajër fotokopje kartmonedhash ndërsa kalonin deputetët. Brenda pak orësh policë me uniformë ose civilë që pretendojnë se janë policë shkelin ligjin duke hyrë brenda selisë së një partie politike dhe duke u përpjekur t’u bëjnë presion aktivistëve.

Kjo estradë e shëmtuar duhet të marrë fund. Edi Rama duhet të ndalë së poshtëruari punonjësit e policisë duke i shtrënguar të bëjnë presion ndaj një partie politike opozitare. Kujtojmë se protesta e sotme e Lëvizjes BASHKË ka qenë krejt e ligjshme dhe në përputhje me nenin 12 të ligjit për tubimet. Po jehona e saj në opinionin publik po lë pa gjumë qeverinë dhe gjithë Policinë e Shtetit. Nën një qeverisje kaq të korruptuar e absurde mund të presim gjithçka, edhe që të na vijnë në mesnatë në shtëpi për të na hedhur prangat. Me këtë rast, duam të ritheksojmë se sot Kuvendi i Shqipërisë dhe deputetët e të gjitha krahëve kanë vendosur t’i dyfishojnë rrogën vetes. Ndërkohë në Shqipërinë e sunduar prej tyre pensioni minimal mbetet 8000 lekë, pensioni mesatar është 15.000 lekë dhe asnjë institucion nuk do t’ia dijë për minimumin jetik. Turp! Po ata e kanë humbur aftësinë për të ndjerë turpin.

Ditën e djeshme Lëvizja "Bashkë" doli në protestë kundër rritjes së pagave së deputetëve dhe ministrave në Kuvendin e Shqipërisë. Me një pankartë të madhe në duar që shkruan: Mos u ngopshi!, aktivistët dolën kundër projektligjeve që kaluan sot.