Transmetuar më 24-05-2023, 10:32

SHBA- Policia e Clevelandit ka arrestuar një vajzë 16-vjeçare pasi dy foshnja të porsalindura u gjetën të vdekura në një kosh mbetjesh jashtë shtëpisë së saj. Adoleshenta do të paraqitet në gjykatë dhe përballet me nëntë akuza, përfshirë vrasjen, rrezikimin e fëmijëve, ndërhyrjen e provave dhe abuzimin e rëndë të një trupi.

Ngjarja erdhi në dritë kur nëna e adoleshentes telefonoi policinë e Clevelandit për të raportuar se vajza e saj kishte lindur së fundmi dhe i kishte hedhur foshnjat në plehra. Sipas njoftimit të policisë, ajo ka pohuar se nuk e dinte që vajza e saj ishte shtatzënë dhe se i kishte gjetur foshnjat kur hapi koshin.

Banorët në rrugën Ludloë në East Cleveland raportuan se kishin dëgjuar foshnja duke qarë gjatë mbrëmjes së 18 majit, kur dyshohet se lindën binjakët. Nicole Shefton, një banore e afërt e të dyshuarës adoleshente, tha se dëgjoi një fëmijë duke qarë rreth orës 17:30, por mendoi se zëri vinte nga brenda shtëpisë.

Departamenti i Zjarrfikësve të Clevelandit paralajmëroi publikun se sipas ligjit të shtetit të Ohios, ka mënyra ligjore për të hequr dorë nga të porsalindurit nëse prindërit mendojnë se nuk mund t’i rrisin ata. Megjithatë, ende nuk dihet shkaku i vdekjes së foshnjave dhe policia ende nuk ka bërë të ditur emrin e adoleshentes.

Kjo ngjarje tronditëse ka nxitur diskutime të mëdha në komunitetin lokal rreth ndërgjegjësimit dhe sigurisë së fëmijëve të porsalindur. Autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbuluar të gjitha faktet dhe për të siguruar drejtësinë për dy foshnjat të pafajshme që humbën jetën në këtë rast të trishtueshëm.