Transmetuar më 16-05-2023, 08:30

Autoritetet në Kosovë njoftuan se kanë arrestuar pesë persona, që dyshohet se kanë kryer vepra terroriste.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, dje më 15 maj është kryer një aksion në gjashtë zona në rajonin e Pejës, Prishtinës dhe Gjilanit, ku janë arrestuar pesë të dyshuarit.

Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale: “Shtytje në kryerjen e veprës terroriste” dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Autoritetet identifikuan të arrestuarit përmes inicialeve të tyre: L.B., B.V., E.B., A.H. dhe A.S. Megjithatë, ata nuk dhanë detaje se kur janë kryer veprat për të cilat akuzohen.

Gjatë operacionit, sipas Policisë, janë sekuestruar prova dhe dëshmi që kanë të bëjnë me krimet, përfshirë tri revole, një armë automatike e llojit AK-47, një armë rekreative pneumatike, si dhe pajisje elektronike.

Të arrestuarit janë dërguar në ndalim policor prej 48 orësh.

Policia tha, po ashtu, se të arrestuarit edhe më herët kishin qenë të përfshirë në vepra të tjera penale të kryera në rajonin e Pejës.