Transmetuar më 27-04-2023, 15:39

Bankat globale të investimeve e rritin parashikimin për GDP-në e Kinës

Kina i ka kaluar pritshmëritë globale me një rimëkëmbje ekonomike mbresëlënëse në tremujorin e parë të vitit 2023. Ky sukses i ka nxitur shumë banka globale investimesh t’i ngrenë parashikimet e tyre vjetore për rritjen ekonomike të Kinës.

"J.P. Morgan" e rriti parashikimin e vet me 0.4 pikë përqindjeje, duke e çuar në 6.4 për qind, ndërsa "Citibank" e ngriti parashikimin nga 5.7 për qind në 6.1 për qind.

Si "Goldman Sachs", edhe "Deutsche Bank" i ngritën parashikimet e tyre në 6 %, duke përmendur gjendjen e tanishme ekonomike.

PBB-ja e Kinës në tre muajt e parë të sivjetshëm u rrit me 4.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, treguan të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave (NBS).

Kjo ka hedhur themelet për objektivat vjetorë të zhvillimit të vendosur nga qeveria kineze, tha Fu Linghui, zëdhënësi i NBS-së.

"Morgan Stanley" parashikon që, pas një rimëkëmbjeje të fortë në tremujorin e parë, rritja ekonomike e Kinës do të kontribuojë në më shumë se 40 për qind të rritjes ekonomike globale në vitin 2023.

Ekonomia kineze dhe ekonomitë aziatike, sipas bankës, do të udhëheqin globalisht këtë vit.

Siipas "Deutsche Bank", niveli i kontributit të Kinës në eksportet aziatike do të "rimëkëmbet me forcë" këtë vit e vitin e ardhshëm, me PBB-në e Kinës që do të shtohet përkatësisht 6 e 6.3 për qind më 2023 e 2024.

Kjo pritet t’i ngrejë eksportet aziatike, veçanërisht për ekonomitë që janë më të lidhura me Kinën se me ShBA-në, tha kreu i makrostrategjisë për Azinë në këtë bankë Mallika Sachdeva.