Transmetuar më 24-04-2023, 13:26

Danimarkë- Një koleksion me mbi 9 mijë tru njerëzish u zbulua në bodrumin e një universiteti në Danimarkë. Ekzaktësisht 9479 të tillë.

Fillesa e këtij koleksioni erdhi pas një propozimi nga dy mjekë në vitin 1945, për të ndërtuar koleksionin më të madh në botë të trurit, me shpresën se mjekët e ardhshëm mund t’i rianalizojnë këto organe, pasi shkenca të ketë avancuar.

Të gjithë trurët u nxorën gjatë autopsisë së pacientëve që vdiqën midis viteve 1940 dhe 1980.

Midis tyre janë 5500 tru të njerëzve që kanë vuajtur nga demenca, 1400 nga skizofrenia, 400 me çrregullim bipolar dhe 300 me depresion.

Pas autopsive, mjekët e hiqnin organin nga kufoma përpara se ta varrosnin, e ekzaminonin dhe mbanin shënime të hollësishme në ato që njiheshin si “ditarët e trurit”. Pjesa më e madhe e këtyre truve u dërguan nga spitalet shtetërore në të gjithë Danimarkën, më pas u ruajtën në kuti për javë të tëra, përpara se të ndaheshin në copa dhe të vendoseshin në enë të posaçme për t’u ruajtur.

Megjithatë, organet u ruajtën pa pëlqimin paraprak të pacientëve ose të afërmve të tyre, duke ndezur një debat të gjerë kombëtar që u përhap në sektorë të ndryshëm të shoqërisë, se çfarë duhet të bëhej me atë sasi organesh njerëzore.