Transmetuar më 12-04-2023, 20:00

Mbi 300 mijë banorë që rezultojnë banorë të zonave në brezim kufitar Shqipëri-Kosovë me perimetër nç të dy shtetet, 30 km, do të lëvizin lirshëm 30 km në brendësi të Shqipërisë dhe po aq në Kosovë duke marrë shërbime sikur të jenë shtetas përkatësisht të të dy shteteve.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe homologu i tij nga Kosova Xhelal Sveçla nënshkruan të mërkurën në Tiranë protokollin që përmirëson më tej regjimin e lëvizjes së lirë ndërkufitare për banorët e zonave në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Kosovë, sipas marrëveshjes së firmosur vitin e shkuar.

Dy ministrat Çuçi dhe Svelça, vlerësuan se ky protokoll është një hap tjetër përpara në këtë proces lehtësimi, pasi krahas lirisë së lëvizjes më këmbë shtohet dhe kalimi me automjete për nevoja të jetës së përditshme të këtyre banorëve.

“Me nënshkrimin e këtij protokolli jo vetëm do t’i afrojmë institucionet, por edhe qytetarët e dy vendeve dhe po ashtu jam i bindur se nuk do të jetë marrëveshja e fundit, por do të ketë një vazhdimësi marrëveshjesh, të cilat i kemi nënshkruar dhe do vazhdojmë t’i nënshkruajmë deri sa të vijë koha që qytetari i dy vendeve të mos dijë se ku ndodhet apo ku punon”, tha ministri Svelça.

Ministri Çuçi u shpreh se “do të doja të kishte vetëm një marrëveshje, të mos kishte kufi fare dhe kjo lëvizje e lirë që ne po i mundësojmë banorëve kufitarë brenda 30 km të secilit vend, të ishte për të gjithë territorin e Kosovës dhe Shqipërisë, por deri atëherë meqë jetojmë në Europë dhe jemi bashkësi e Europës duhet të respektojmë këto marrëveshje ndërkombëtare në të cilat jemi pjesë. Deri atëherë bëjmë të pamundurën që shtetasit tanë të qarkullojnë sa më lirshëm”.

“Përmirësimet e sotme janë në funksion të kësaj lehtësie, që krijojmë për shtetasit tanë. Është shumë interesante kur e shikon të zbatuar marrëveshjen në terren dhe eksperienca që ministri Svelça e përjetoi pasi vizitoi të gjithë vijën kufitare ku kemi këtë lehtësi me qarkullimin është shumë e rëndësishme, sepse e shikon vërtet që njerëzit përfitojnë”, tha ministri Çuçi.