Transmetuar më 05-04-2023, 11:20

Moti i keq po ndikon negativisht te të mbjellat e fermerëve. Ulja e temperaturave ka zbardhur me dëborë të gjithë rrethin e Bulqizës por mund të shkaktojnë dëme të mbjelljeve në shumë zona të thella si në Ostren, Trebisht, Martanesh dhe Zerqan.

Dëbora dhe temperaturat e ulëta ndikojnë negativisht tek të mbjellat, në bujqësi si dhe mund të shkaktoje dëme në drutë frutore të cilat tashmë kanë çelur. Nga autoritetet përkatëse mësohet se nuk ka probleme me rrugët nacionale dhe ata rurale. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë informacion në lidhje me situatën që ndodhet vendi ynë për shkak të reshjeve të borës që kanë përfshirë së fundmi disa zona malore. ARRSH bën të ditur se gjatë natës temperaturat kanë qenë në vlera negative në zonat malore shoqëruar me reshje dëbore në lartësinë mbi 700m.

“Gjatë natës temperaturat kanë qenë në vlera negative në zonat malore shoqëruar me reshje dëbore në lartësinë mbi 700m. Është punuar me mjete borëpastruese dhe me shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat. Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi kryhet pa probleme"- shkruan ARRSH.