Transmetuar më 23-03-2023, 11:25

Atmosfera është padyshim e veçantë. Kombëtarja italiane mbërriti me tren nga Firence, hodhi sytë përreth dhe përjetoi sikletin e rrëzimit të ahengjeve të të tjerëve. Kombëtarja e Roberto Mancinit mbërrin në Napoli si grup i ftuar për të luajtur përpara “Koncertit të Madh”, përpara “Big Party” që do të shpërthejë.

Kanë mbetur disa orë deri në startin e klasikes së madhe europiane, Itali-Angli. Barella dhe Verratti zbarkojnë në stadiumin “Maradona” duke pritur të marrin apoteozën e merituar të Kvara dhe Osimhen.

Atmosferë e veçantë, sepse në çdo rast është një ndeshje që vlen shumë. Itali-Angli, një riluajtje e finales së “Euro 2021”, hapi i parë zyrtar drejt edicionit të ardhshëm të këtij kompeticioni. Më pas u bënë vite që kur kombëtarja axurre luante në Napoli: Itali-Armeni 2-2, më 15 tetor 2013. Plot dhjetë vite.

Për të shënuar golin e fundit blu në “San Paolo” (sot stadiumi “Maradona”) kishte menduar Mario Balotelli, i lidhur ngushtë me qytetin. Për të rikuperuar një fitore napolitane për Italinë duhet të kthehemi më 15 nëntor 1997: goli vendimtar i Pierluigi Casiraghi në “play-off” kundër Rusisë. Pothuajse saktësisht një vit pas “apokalipsit maqedonas” (24 mars 2022), fjala kyçe e mbrëmjes së sotme mbetet e njëjtë: fitorja.

Trajneri Roberto Mancini është shprehur se Italia e tij është në fazë rindërtimi, por kolegu anglez Gareth Southgate nuk iu beson kampionëve të Europës. “Vërtet nuk ishin në Botërorin e Katarit, por italianët kanë lojtarë të jashtëzakonshëm. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Ne kemi nevojë për ta fituar një ndeshje të tillë, pasi na jep besim për fushatën kualifikuese”, – tha Southgate.

“E njohim të shkuarën, por për ndeshjen e sotme ndaj Italisë ajo s’ka rëndësi. Humbja në finalen e Europianit të fundit është një faktor motivimi. E dimë se mund të jemi kompetitivë me ekipet e forta dhe për këtë arsye duam ta nisim me një fitore këtë fushatë kualifikuese të Europianit”, – shtoi më tej trajneri i “Tre Luanëve”.

Anglia nuk fiton në Itali prej vitit 1961: “Nuk fitojmë prej dekadash dhe kjo na motivon më shumë. Ne duam ta thyejmë këtë tabu, ky është një stimul më shumë. Mezi e presim këtë ndeshje për t’u hakmarrë pas Europianit, ndaj fitorja është detyrim, një premtim për tifozët e shumtë që do të na ndjekin në Napoli”.