Transmetuar më 22-03-2023, 14:09

Kryeministri Albin Kurti ka shpjeguar sot në konferencë për media deklaratën e tij të mbrëmshme për “ofertën bujare” që tha se ia kishte bërë Serbisë rreth themelimit të Asociacionit.

Ai tha se në takimin e Ohrit kishte propozuar që Asociacioni të hartohej në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimit të Kushtetueses, si dhe në bazë të qëndrimit të Brukselit dhe Washingtonit, raporton Gazeta Express.

“Unë kam bërë një ofertë konkrete duke iu thënë nëse pala serbe është dakord që të pranojë le të themi tri shtylla bazike: Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimin e Kushtetueses të 2015-ës në njërën anë dhe në anën tjetër një qëndrim të Brukselit dhe një tjetër të Washingtonit mbi atë të cilën është edhe nuk është Asociacioni, unë kam thënë që nëse janë dakord me këtë premisë unë jam i gatshëm ta shkruaj draftin e Asociacionit. Mirëpo, duhet njëherë të pajtohen me premisën. Nuk ka pasë dakordim që të përfillen këto tri shtylla”.

Kurti tha se pas prezantimit të kësaj ideje të tij hasi në një refuzim të ashpër dhe reagime të tilla që s’duhet qëndruar më në takim nga pala serbe.

“Me këto tri shtylla unë iu kam thënë se ua sjell statutin si draft të shkruar nesër në mëngjes. Këtë ua kam thënë në pasditen e hershme të 18 marsit në takimin trilateral. Mirëpo, është refuzuar. Dhe jo vetëm që u refuzua, por në ato momente u tha që “nuk paskemi çfarë të diskutojmë më tutje, po humbim kohë, mundemi lirisht të ngrihemi nga ky takim dhe të shkojmë. Ishte një refuzim shumë i ashpër i ofertës”

Kryeministri tha se kanë mundur që bisedimet të vazhdojnë edhe më tej nëse kjo do të ishte pranuar.

“Një ofertë shumë gjeneroze, parimore që nëse do të pranohej si premisë unë do të merrja barrën që të nesërmen në mëngjes, sepse ne kemi qëndruar atë natë të 18 marsit në Ohër, kemi mundur që t’i vazhdojmë bisedimet ku unë e sjell në tavolinë propozimin. Por, është refuzuar premisa. S’mund të sjell propozim pa pranuar premisën e saj. Njëherë pajtohesh në parim për shtyllat dhe më pastaj e sjell përmbajtjen. S’mund të sjell përmbajtje kur ti refuzon parimin”.