Transmetuar më 16-03-2023, 20:30

GREQI- Kur kanë kaluar disa ditë nga ngjarja fatale e trenave në Greqi, historitë prekëse njerëzore vijnë prej atyre që u lënduan më shumë.

Në gjendje të rënduar psikologjike ndodhet motra e të shqiptares Klaudia Lata e cila humbi jetën në aksidentin tragjik në Greqi. Studentja e Mjekësisë Ushtarake ndodhej me partnerin e saj në tren, por humbi jetën tragjikisht nga përplasja fatale që ndodhi në Larisa. Motra e saj, Xheni Lata, duke folur për mediat greke ka kërkuar drejtësi pasi siç tha ajo, vetëm kështu do i pushojë shpirti.

‘Motra ime nuk erdhi në Athinë por në Patra. Ne ishim bashkë për tre ditët e karnavaleve. Ne rezervuam biletat e autobusit dhe ajo donte të rezervonte një udhëtim kthimi, por ne nuk mundëm ta gjenim. Kështu përfunduam në tren. Kohët e fundit motra ime kishte provime dhe ajo erdhi në Patra për të më parë mua. Ajo donte të ishte vetëm në shtëpi se kishte mësimet e saj. Kështu donte të argëtohej dhe erdhi në Patra. Kaluam shumë mirë. Kur u nis me tren fola me të dhe më tha se ishte në Palaiofarsalos dhe se ishin vonuar. E dija saktësisht se ku ishte ulur. Dhe nëna ime kishte folur me kamerë me të. Ajo ishte ulur në mensë me të dashurin e saj.’

Shqiptarja thotë se motra e saj ndoshta e ndjeu se diçka do ndodhte prandaj i kërkoi të dashurit që të ndryshonin vendin.

‘Në momentin e fundit sikur ndjeu diçka dhe i tha të dashurit të gjente një vend në vagonat e tjerë pasi treni ishte plot. Kishin orë të gjata në mensë dhe ajo ndihej e lodhur. I dashuri i saj iku dhe ajo qëndroi atje. I dashuri i saj bëri 10 hapa dhe aty ndodhi përplasja.’

Ajo thotë se çështja nuk duhet të harrohet pasi ishte një krim ku vdiqën dhjetëra njerëz.