Transmetuar më 15-03-2023, 15:30

Partia Demokratike e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, do të hyjë në koalicion në zgjedhjet e 14 majit.

Sali Berisha zbuloi sot për mediat, partitë që do të hyjnë në koalicion: Partia e Lirisë e Ilir Metës, PBDNJ-në e Vangjel Dules dhe PDK e Nard Ndokës.

“Do të dalim në koalicion me PL, PBDNJ e PDK” tha Berisha për gazetarët në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PD, por pa zbuluar sesi do të quhet koalicioni.

– Cili do të jetë emri i koalicionit?

Berisha: Tani po diskutojmë për modalitetet e fundit. Në koalicion do të jenë: PL, PBDNJ, PDK. Do të jenë në përputhje me ligjin. Aq sa lejon ligji. Ligji ka përcaktimet e veta, por ndërkohë koalicioni do të përfshijë të gjithë spektrin e djathtë si koalicion politik, përveçse ndonjë njeriu që do të ndjekë rrugën e vet.

Do të jetë një koalicion për kandidimin dhe këshilltarëve së bashku, kurse koalicioni i gjerë do të jetë me shumë parti, i cili zotohet të mbështesë kandidatët.

– Si do të jetë ndarja për Këshillin Kombëtar? Çfarë peshe do të ketë PD?

Berisha: Me këto detaje janë duke u marrë të tjerë, por ka një ligj. Merret për bazë rekordi elektoral.

***

Sot në orën 24:00 është afati përfundimtar për regjistrimin e koalicioneve.

Ndërkohë sot Berisha ankimoi në KAS vendimin e Celibashit për mos njohjen e tij legjitime si kryetar i PD-së dhe mos regjistrimin e PD-së në zgjedhje.

Vendimi i Celibashit u ankimua edhe nga Alibeaj. Në përfundim të shqyrtimit paraprak, KAS vendosi kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr.32, në seancë publike që do të jetë nesër ora 12:00.

Thirrja ndaj demokratëve

"Unë një gjë do t’u them të gjithë demokratëve në Shqipëri, se nuk ka zgjidhje më të gabuar sesa zgjidhja për t’u keqpërdorur si patericë e Edi Ramës në këto zgjedhje.

Pasi sot, çdo qytetar, çdo demokrat, duhet të angazhohet dhe të bëjë gjithçka për fitoren e opozitës dhe disfatën e Edi Ramës.

Të mbështesësh një njeri, i cili nxin me emrin e tij sot kudo në botë, zgjedh të nxish veten tënde". /noa.al

Në fotot: Sali Berisha sot para mediave. Fotot: NOA/LSA