Transmetuar më 15-03-2023, 10:56

Leonardo Pereira Dos Reis shënoi një gol të çmendur, që mund t’i japë atij edhe titullin e fituesit të çmimit "Puskas" të ardhshëm. Goli është i pabesueshëm, realizohet kur tashmë ishte i shtrirë në tokë.

Tifozët u mahnitën nga ajo që bëri braziliani 23-vjeçar dhe më të vëmendshmit nuk mund të mos vinin re ngjashmërinë e realizimit me atë të Maradonës në vitin 1984 ndaj Pescara, në një nga ndeshjet e tij të para të Italisë me fanellën e Napolit.

Skuadra mysafire kishte kaluar në epërsi në minutën e 7-të falë golit të Guilherme Castilho, por në minutën e 34-t, Leonardo Pereira dos Reis shpiku një gol vërtet të jashtëzakonshëm. Një goditje me “biçikletë” (roveshiatë) nga pozicioni shtrirë, pasi ngriti topin kur ishte tashmë rrafsh më fushën.

Tifozët e Iguatu u çmendën në tribunë për një gol jo vetëm të rëndësishëm për të barazuar rezultatin final, i cili lë gjithçka të hapur për ndeshjen e dytë, por edhe me bukuri të rrallë. Nëse dikujt më pak të ri i kujton diçka ky gol, nuk gaboheni.

Ishte 2 shtatori i vitit 1984, kur Diego Armando Maradona mposhti portierin e Pescara në një mënyrë shumë të ngjashme, në stadiumin “Adriatico”, ku 25.000 njerëz ishin mbledhur për të admiruar “Pibe de Oro” në një nga ndeshjet e tij të para në Itali, pasi iu bashkua Napolit. Ishte një ndeshje e Kupës së Italisë, e fituar 3-0 nga “Azzurri”.