Transmetuar më 13-03-2023, 12:05

Gary Lineker është kthyer në TV. Pasi u pezullua për shkak të një mesazhi në rrjetet sociale, ku krahasoi politikën e imigracionit të qeverisë britanike me atë të Gjermanisë së viteve 1930, legjenda e futbollit anglez do të rifillojë misionin e tij në programin kryesor të futbollit të BBC, “Match of the Day”.

Vetë Lineker e bëri të ditur këtë: "Pas disa ditësh surreale, jam i kënaqur që ia dolëm ta kalojmë të gjithë këtë. Dua t’ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen e jashtëzakonshme, veçanërisht kolegët e mi në ‘BBC Sport’ për shfaqjen e mahnitshme të solidaritetit.

Futbolli është një lojë ekipore, por mbështetja e tyre ka qenë e madhe. Unë e kam prezantuar sportin në BBC për gati 3 dekada dhe jam jashtëzakonisht krenar që punoj me transmetuesin më të mirë dhe më të drejtë në botë.

Mezi pres të kthehem në karrigen time të shtunën. Sado të vështira kanë qenë ditët e fundit, nuk janë të krahasueshme me faktin se duhet të largohesh prej shtëpisë tënde nga persekutimi ose lufta, për të kërkuar strehim në një vend të largët. Ne mbetemi një vend me njerëz kryesisht tolerantë, mikpritës dhe bujarë. Faleminderit!"