Transmetuar më 06-03-2023, 10:49

TIRANË- Ditën e sotme çeli punimet Kongresi i Parë i Shëndetësisë, i cili do të mbahet në datat 6 dhe 7 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Kryeministri i vendit, Edi Rama fjalën e tij në këtë kongres e nisi duke falënderuar bluzat e bardha të të gjitha niveleve për punë dhe përkushtimin e treguar në shërbim të qytetarëve.

Ai tha se sot ka një kapital njerëzor në shëndetësi, i cili është i mirëtrajtuar në të gjitha aspektet.

“Dua t’i falënderoj të gjithë bluzat e bardha, për mundin, përkushtimin dhe për rezultatet e arritura në një fushë, e cila çdo ditë ju përball me domosdoshmërinë për të garantuar jetën dhe shëndetin e njerëzve tanë. Kemi një kapital njerëzor në shëndetësi, shumë më të qëndrueshëm, shumë më të mirë të trajtuar dhe shumë më garanci për të sotmen dhe të nesërmen”, tha Rama.

Në kushtet globale, ku gara mes vendeve të zhvilluara për të siguruar mjekë është rritur ndjeshëm, Rama u shpreh se kjo duhet të rrisë vigjilencën e vendit tone për të mbajtur dhe trajtuar sa më mirë kapitalin njerëzor.

“Të gjitha vendet, kanë hyrë në një fazë ku nevoja për të siguruar personel shëndetësor po bëhet gjithmonë dhe më therëse, edhe si rezultat i plakjes së popullsisë dhe i rritjes së nevojës së kujdesit shëndetësor dhe social.

Shefi i qeverisë theksoi se duke filluar nga 30 prilli, mjekët specialistë do të marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre. Ai shtoi se do të mbajnë zotimin për mjekët dhe specialistët e tjerë për rritje page me 7%, ashtu sikurse është deklaruar edhe më parë.

“Ne duhet të garantojmë pagë dinjitoze. Në këtë prill, jo me 1 prill, por me 30 prill, mjekët specialistë do fillojnë të marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre. Janë 6 mijë dollarë në vit, nëse aritmetika është e saktë. Dmth janë nga muaji prill. Do të mbajmë zotimin për rritjen 7% të rritjes së pagës për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët”, tha Rama.