Transmetuar më 02-03-2023, 17:47

Kreu i Shërbimit Zjarrfikës të Thesalisë, Evangelos Falaras, nuk dha shpresa për gjetjen e personave të plagosur në rrënojat e vagonëve nga përplasja e dy trenave. Siç u shpreh ai për mediat greke, është e vështirë që të gjenden persona të gjallë pas përplasjes fatale që mori dhjetëra jetë njerëzish.

“Në të gjitha këto incidente, ajo që duam të arrijmë është të fitojmë kohë, të shuajmë zjarrin, të shpëtojmë të lënduarit në mënyrë që t’i çojmë sa më shpejt për të mbrojtur jetën e tyre dhe për t’u dhënë ndihmën e parë ose për të bërë ndërhyrjet në mënyrë që ata t’i kthehen jetës së tyre të shëndetshme.

Sot jemi në pozitën e vështirë sepse nuk ka më asnjë tregues apo mundësi që të ketë njeri të gjallë në rrënojat. Ka qenë e kufizuar dhe hapësira në të cilën po operojmë është në dy pika, disa mbetje të vagonit të dytë dhe pika ku presim ndërhyrje nga kompania për të hequr motorin e trenit për të kontrolluar.”

Nga ngjarja e rëndë kanë humbur jetën të paktën 57 persona ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur.