Transmetuar më 27-02-2023, 14:15

Lionel Messi ishte një hap larg arritjes së një pike të re në karrierën e tij. Ia doli të shënojë mbrëmë në duelin e madh të PSG-së kundër Marseille (3-0) dhe rrumbullakosi kuotën e 700 golave në nivel klubesh. Megjithatë, për ta bërë këtë, ai duhej të mposhtte një prej "maceve të zeza".

Katër herë ishte përballur me skuadrën e jugut të Francës ylli argjentinas deri mbrëmë dhe nuk kishte mundur të shënonte. Kjo i ka ndodhur vetëm me dy skuadra të tjera, Interin dhe Rubin Kazanin.

Kampioni i botës vinte në këtë supersfidë pasi shënoi me goditje dënimi, duke i dhënë PSG-së fitoren kundër Lille në një duel të mrekullueshëm. Ai kërkoi ta zgjaste serinë e golave për të arritur me "sy të mprehtë" në duelin e Champions League kundër Bayernit.

Për më tepër, një fitore në ‘Le Classique’ do t’ia linte hapur skuadrës pariziene rrugën drejt titullit. Messi ka arritur të ruajë nivelin e tij pas Kupës së Botës dhe që kur është rikthyer në aktivitet me klubin, tashmë ka shënuar 5 gola.

Ylli argjentinas i shpërndan 700 golat e tij për momentin mes Barcelonës dhe PSG-së. Ai shënoi 672 gola me skuadrën katalanase dhe 28 që kur ndryshoi mjedis dhe iu bashkua futbollit francez.

Goli i tij i parë erdhi më 1 maj 2005 kundër Albacete dhe iu deshën më shumë se katër vite e gjysmë për të arritur golin e tij të 100-të. Goli i 100-të i tij u shënua më 16 janar 2010 kundër Sevilla. Skuadra andaluziane ka qenë "viktima" që ka pësuar më shumë nga Messi, plot 38 gola.

Pasi arriti të 100-at, performanca e Messit mahnit me rregullsinë e tij finalizuese, në periudha dy vjeçare (edhe më pak në disa raste). Ai arriti në kuotat 200, 300, 400, 500 dhe 600 gola. Nga të gjithë, 581 gola i ka shënuar me të majtën e tij mjeshtërore dhe 92 me të djathtën.

Me kokë ka realizuar 24 herë, teksa njëri prej tyre do të mbahet mend gjithmonë për arritjen në një finale të Champions League kundër Manchester United. "Opta" rendit lojtarët që e kanë asistuar më shumë herë Messin gjatë karrierës së tij në nivel klubi. Sigurisht, lista përbëhet nga lojtarë të Barcelonës.

Luis Suarez është i pari në këtë renditje me 47 asiste, i ndjekur nga afër prej Dani Alves me 42 asiste. Më pas vijnë Iniesta dhe Xavi me përkatësisht 37 dhe 31 asiste, ndërsa i pesti është Neymar me 26 asiste. I vetmi që mund t’i rrisë këto shifra është sulmuesi brazilian, të paktën deri në fund të këtij sezoni.