Transmetuar më 21-02-2023, 10:58

BERAT- Një dramë e vërtetë ka ndodhur në familjen Merkaj në Berat.

Klinton Merkaj është 28-vjeçari i cili humbi jetën mbrëmjen e djeshme në një aksident në Rrethrrotullimin e Ciflikut Dimal, aty ku automjeti tip “Benz”, doli nga rruga e më pas u përfshi nga flakët.

Për fat të keq i riu humbi jetën mirëpo duket se kjo nuk është e vetmja fatkeqësi në familjen Merkaj. Te afërm të viktimës bëjnë me dije se pak ditë më parë ka ndërruar jetë edhe vëllai i tij 30-vjeçar, i cili u mbyt në lumë.

Dyshohet se shkak i aksidentit të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Viktima nuk ka arritur të hyjë në rrethrrotullim edhe pse natën ka pasur ndriçim në zonë. Mjeti është përplasur me shtyllën e rrugës duke shkulur atë nga vendi e më pas ka përfunduar në kanal.

Banorët e zonës deklaruan se kjo rrethrrotullimi aty ka qenë shpesh herë burim aksidenti. Edhe pse është e pajisur me ndriçim, mjetet lëvizin me shpejtësi të lartë duke u gjetur pa përgatitur për rrugën që duhet të ndjekin. Ata thonë se vendosja e disa barrierave sinjalizuese do të bëjë që drejtuesit e mjeteve të sinjalizohen për të ulur shpejtësinë.