Transmetuar më 20-02-2023, 19:52

TURQI- Banorët në Turqi janë tronditur sërish nga tërmeti i fundit që u shënua në vend vetëm pak minuta më parë me magnitudë 6.4 rihter në kufi me Sirinë, në Hatay. Muna al-Omar, një banore e zonës ka thënë se ishte në një tendë në një park në Antakia qendrore kur ra tërmeti, teksa përshkroi ndjesitë e frikës dhe ankthit se toka do të çahej sërish në dysh, shkruajnë mediat e huaja.

"Mendova se toka do të çahej nën këmbët e mia," tha ajo, duke qarë ndërsa mbante në krahë djalin e saj 7-vjeçar.

"A do të ketë një tjetër pasgoditje?", pyeti ajo.

Dy javë nga tërmeti në Turqi e Siri, numri i viktimave kap shifrën e 47 mijë viktimave. Në pjesën më të madhe të zonave të goditura kërkimet janë mbyllur, ndërsa vijojnë vetëm në 15 ndërtesa të Hatayit. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken premtoi 100 milionë dollarë të tjera ndihmë pasi vizitoi rajonin e goditur nga katastrofa.