Transmetuar më 17-02-2023, 13:59

TIRANË- Krijohet ‘Aleanca Progresiste’ për zgjedhjet e 14 majit.

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi dhe kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi kanë krijuar Aleancën Progresiste për tu futur bashkë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Në një deklaratë për mediat, Shehi tha se futja e tyre në zgjedhje me kandidatë të rinj nuk është për të dëmtuar Opozitën. Sipas tij, përsa kohë do të ketë një përçarje në PD, ata do të sjellin një alternativë të re. Dashamir Shehi u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim dhe jo thjesht për rrotacion.

Pjesë nga fjala e Shehit:

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Bindja Demokratike kemi bërë në plan bashkëpunimi. Filozofia e bashkimit ka një objektiv, të bashkojmë forcat dhe energjitë tona. Kjo është një forcë Opozitare. Thelbi është që në këtë moment do të bashkëpunojmë duke qenë kundërshtarë me qeverinë e Edi Ramës. Kjo është e gjithë esenca në të cilën e kemi ndërtuar. Në kushtet e një korrupsionit të madh dhe një lufte brenda llojit që ka përfshirë PD-në, ne mendojmë që vendi ka nevojë për një adresë të re opozitare. Aleanca Progresiste do të shkojë me synimin që të jetë forca në këshillat bashkiakë, duke përfaqësuar shqiptarët që kërkojnë ndryshim dhe jo thjesht rrotcion. Ne kemi nevojë për ndryshim, të shkojmë përtej rrotacionit, përtej këmbimit të pushtetit. Inkurajojmë forcat e tjera opozitare për arritjen e një dakortësie për një bashkëpunim të ri. Ne jemi të hapur për parti të reja. Besojmë se do jetë fillimi i një lëvizje që do të vijë duke u zgjeruar. Njerëzit kanë të drejtë që të mendojnë ndryshe dhe mbase këtu do të shohin një shpresë dhe një frymë tjetër. Nëse PD do të vendose 2 apo 3 kandidatë, dëshira jonë është që të dilet me një kandidat. Ne jemi munduar që të gjejmë një formula bashkëpunimi. Dëshira të largojmë Edi Ramën dhe të kemi një kandidat për ballë kandidatit socialist. Ne s’kemi një pikë përfundimtare. Ne nuk mund të pranojmë më që dy njerëz të drejtojnë Shqipërinë. Nuk pranojmë më marrëveshjen e 2008 mes Berishës dhe Ramës. Ka ardhur dita që Shqipëria të qeveriste ndryshe. Nëse ato nuk bashkohen, ne do kemi kandidatët tonë. Në nuk hyjmë në fushatë të dëmtojmë njeri.