Transmetuar më 15-02-2023, 15:03

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se protesta e nesërme do të mbahen në orën 10 para parlamentit. Gjatë deklaratës së sotme në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha theksoi se kryeministri Rama nesër nuk duhet të hyjë në Parlament.

"Nesër është një ditë prove, prove e fortë. Protesta është thirrur në ora 10, sepse në orën 10, RamGonigali hyn në parlament. A ka përdhosje më të madhe për atë parlament se hyrja e kryeministrit si RamGonigali? Prandaj qytetarë, siç zhvilluam të hënën që kaloi një betejë të shkëlqyer brenda dhe jashtë parlamentit, i bëj thirrje cilitdo, që ka minimumin e mundësive, të lërë çdo gjë dhe të vijë nesër në orën 10 në protestë. RamGonigali nuk duhet të hyjë në parlament. Edhe po hyri, duhet të mbetet nën presionin e tmerrshëm të revolucionit aty ku është, brenda parlamentit," tha Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë thirrje për protestë masive më 3 mars, ditën që Gjykata e Apelit do të vendos për vulën e Partisë Demokratike. Gjatë deklaratës së sotme në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Berisha theksoi se protesta ka vetëm një objektiv, i cili është Edi Rama. Po ashtu Berisha theksoi se ata e kanë vendimin e Gjykatës për vulën.

"Së fundmi, u bëj thirrje shqiptarëve të programojnë të gjithë axhendën me datën 3 mars, do të jenë në Tiranë në një protestë epike për nga përmasat. Theksoj se protesta ka vetëm një objektiv: Edi Ramën, Edi Ramën, Edi Ramën. Nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me institucionet e tjera. Ne nuk bëjmë veprime në paragjykim. PD e ka vendimin e gjykatës. Gjykimi është për të pranuar palë Alibashën. Nuk ka gjykatë, pse e bëri Blerina Muçi nën ndikimin e Edi Ramës dhe Yuri Kim, të tjerë nuk mund ta bëjnë një akt të tillë sepse përmbyset sistemi i drejtësisë nëse shpall palë atë që nuk ka qenë palë, ti hap rrugën e rrëzimit të çdo vendimi gjyqësor me urdhra politikë. Objektivi ynë është Edi Rama, ky është një armik i egër që po bën gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij, pasi ka kryer vepra të tmerrshme, akte të pabesisë ekstreme ndaj SHBA, NATO-s, sigurisë së tyre, por edhe akte antikushtetuese ndaj demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri," tha Berisha.