
Barazimi i Interit ndaj Sampdorias nuk u prit mirë nga ultrasit zikaltër. Barazim i dobët 0-0, me një pjesë të dytë me gjysmë zemre, pas një pjese të parë të shkëlqyer. Ky është mendimi i “Curva Nord”, tifo-grupit të njohur, i cili nuk kurseu asnjë kritikë ndaj Simone Inzaghit për një tjetër gabim, i katërti në kampionat, kundër skuadrave të kalibrit më të vogël.
Qëndrimi provincial, problemet e motivimit dhe ngurtësia e formës janë temat kryesore të këtyre kritikave të tifozëve zikaltër, të cilët mendojnë se skuadra e tyre e zemrës nuk bëri mjaftueshëm për ta kërkuar fitoren ndaj Sampdorias:
"Ndeshja e shurdhër në Genoa kundër të parafundit në klasifikim tregoi edhe një herë se trajneri Inzaghi ndoshta nuk është në gjendje t’i motivojë djemtë për ndeshjet me më të vegjlit. Qëndrimi i një ekipi provincial, ai i treguar në pjesën e dytë, është gjysma e së keqes. Në vend që të rrezikonte me tre sulmues, ai kapet pas formës së njërit apo tjetrit”.
Me pak fjalë, një mesazh i qartë nga “Curva Nord” për trajnerin, që tashmë ka ngritur tre trofe kombëtarë te zikaltrit, pa e fituar megjithatë më të rëndësishmin, “Scudetton”. “Askush nuk ka nevojë për barazim.
Ne jemi Interi, është kundërshtari që duhet të na frikësohet, ne duhet të sulmojmë dhe të demonstrojmë epërsi, – shkruan më tej “Curva Nord”. – Në vend të kësaj ne dukemi si një ekip i rangut të mesëm, luajmë për barazim. Janë dy pikë themelore të humbura, sepse pas nesh janë 3 skuadra gati për t’u ngjitur në hapin e gabuar të radhës".