Transmetuar më 14-02-2023, 11:13

Sotir Çabiri, 36 vjeç, djali i një prej bashkëpronarëve të hotelit ‘Bizanti’, Spiro Çabiri, është vënë në pranga. Në njoftimin e policisë bëhet me dije se 36-vjeçari është personi që ka instaluar të paktën 30 kilogramë dinamit në hotelin më të vjetër në Sarandë si dhe e shpërtheu lëndën eksplozive duke tmerruar të gjithë qytetin bregdetar. Arsyeja e këtij shpërthimi mësohet se janë bërë konfliktet që ortakët kanë pasur me njëri-tjetrin. Më konkretisht, vendimi i gjykatës për t’i dhënë grekut Dhimitër Evangjeliu 90% të pronës dhe jo babait të tij, Spiro Çabiri.

Në njoftim, policia bën me dije gjithashtu se janë sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.

Hotel ‘Bizanti’ në Sarandë u shemb me shpërthimin e 30 kilogramëve dinamit në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Soiro Çabiri dhe shtetasi grek Dhimitër Evangjeliu janë në gjyq prej vitit 2002 për pronësinë e hotelit. Sipas vendimit të gjykatës 90% të hotelit i ishte dhënë Dhimitër Evangjeliut dhe nga 5% dy ortakëve të tjerë, Spiro Çabiri e Vangjel Shtuka (ka ndërruar jetë). Si pasojë e shpërthimit nuk pati të lënduar, por dhjetëra banesa e biznese u dëmtuan.

Njoftimi i policisë Sarandë: Shpërtheu me tritol një hotel në Sarandë, zbardhet ngjarja dhe vihet në pranga autori i dyshuar. Grupi i posaçëm hetimor, brenda disa orëve punë intensive profesionale hetimore, zbardhi ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Sarandë. Identifikohet, kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i shpërthimit dhe shkatërrimit me eksploziv, të hotelit që babai i tij kishte në bashkëpronësi me një shtetas tjetër. Palët ishin në proces gjyqësor prej disa vitesh, për ndarjen e pronësisë mbi këtë hotel. Sekuestrohen veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.

Pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Sarandë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët dhe ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijuan veprimet për zbardhjen e ngjarjes. Falë hetimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, për rreth 12 orë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit: -S. Ç., 36 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.

Ky shtetas, mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr. 1, Sarandë, dyshohet se ka vendosur një sasi lënde eksplozive, në hotelin që babai i tij, shtetasi S. Ç., 63 vjeç, kishte në bashkëpronësi me shtetasin E. Dh., për shkak të një procesi gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe shtetasi E. Dh., proces i nisur që në vitin 2002, dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të shtetasit E. Dh. Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.