Transmetuar më 14-02-2023, 10:52

Pasi u eliminua nga Kupa e Francës prej Marseille, skuadra e Christophe Galtier synonte t’iu kthehej fitoreve kur udhëtoi drejt Principatës për t’u përballur me Monaco, të shtunën, por siç rezultoi, PSG u kthye në kryeqytet duarbosh, e mundur 3-1.

Parizienët ende mburren me një epërsi të shëndetshme prej 5 pikësh në krye të Ligue 1, por humbja e dy ndeshjeve radhazi është larg nga mënyra ideale për t’u përgatitur për një takim evropian me Bayern Munich, kundërshtar me të cilin humbën në sezonin 2020-2021 (finalja e Champions League).

PSG kishte shpresuar të përballej me një kundërshtar paksa më të lehtë në 1/8 finale, por pavarësisht se përfundoi në nivel me Benfica (me nga 14 pikë), duhej të kënaqej me vendin e dytë në grup, pasi humbi ndaj gjigantëve portugezë në golat e shënuar si mysafirë.

Paris Saint-Germain's (PSG) Lionel Messi celebrates scoring their second goal with Neymar and teammates on January 11, 2023

Kampionët francezë u eliminuan nga fituesi në fuqi i Champions-it, Real Madridi, në këtë fazë të sezonit të kaluar. Pra, kësaj here do të duhet të shfrytëzojnë sa më shumë avantazhin e shtëpisë, aty ku kanë fituar 12 ndeshje dhe barazuar 3 të tilla. Duke pasur parasysh bilancin e 15 ndeshjeve në shtëpi këtë sezon, parizienët me siguri do të kërkojnë triumfin sonte ndaj bavarezëve.

Nikoqirët gjithashtu kanë fituar gjashtë nga shtatë ndeshjet e mëparshme në shtëpi, të Ligës së Kampionëve, në “Parc des Princes”, duke kujtuar sukseset ndaj Manchester City, Real Madrid dhe Juventus në atë periudhë, ndërsa kanë humbur vetëm një nga pesë sfidat e tyre në shtëpi kundër Bayernit, në këtë kompeticion. Humbja ishte 1-0, kur të dyja palët u takuan për herë të fundit në prill 2021.

Bayerni përjetoi diçka si një minikrizë për standardet e larta, kur u kthye nga pushimet dimërore, me tri barazime radhazi 1-1, por një ndjenjë normaliteti është rikthyer në Bavari javët e fundit.

Skuadra e Julian Nagelsmann shënoi katër gola në fitoret ndaj Mainz dhe Wolfsburg në “DFB-Pokal” dhe Bundesliga respektivisht, përpara se të karikonte bateritë më së miri për ndeshjen e Champions-it me fitoren komode 3-0 ndaj Bochum në fundjavë, falë golave të Thomas Muller, Kingsley Coman dhe Serge Gnabry.

Bayern Munich coach Julian Nagelsmann reacts on January 24, 2023

Barazimet e mëparshme të bavarezëve i kanë lejuar të tjerët të ngushtojnë diferencën në krye të tabelës së Bundesligës, me Union Berlin vetëm një pikë larg, ndërsa Borussia Dortmund është vetëm tri pikë larg Bayernit, por kërkimi i titullit të 11-të radhazi vijon.

Bayerni bëri një punë të lehtë në një grup të ndërlikuar, ku përfshihej Barcelona dhe Interi. Kampionët gjermanë kaluan në 1/8 finale pa humbur asnjë pikë dhe tani kanë shansin të fitojnë shtatë ndeshjet e para të një sezoni të Ligës së Kampionëve për herë të dytë, pasi më parë e kishte bërë këtë në sezonin 2019-2020.

Kampionët e përhershëm gjermanë zakonisht ia dalin mirë në këtë fazë të kompeticionit, pasi kanë përparuar në 9 nga 10 sezonet e fundit, duke përfshirë tri fushatat e fundit evropiane.