Transmetuar më 12-02-2023, 13:07

Policia ka vënë në sekuestro pasurinë e izh-zyrtares Alda Klosi, e cila ndodhet në burg nën akuzën për pastrim parash e fshehje pasurie.

Mësohet se deri më tani është vënë në sekuestro një garazh dhe një apartament në rrugën "Kongresi i Lushnjës". Ndërkohë po verifikohen pasuritë e tjera.

Arrestimi i saj erdhi pas zbulimit të një shume marramendëse në apartamentin e Rozeta Dobit, e cila ishte akuzuar për vjedhje nga ana e Klosit, ku kishte punuar si pastruese. Por ish-zyrtarja deklaroi një shumë shumë herë më të vogël se sa ajo që u gjet në shtëpinë e pastrueses, e cila më 3 shkurt deklaroi se kishte bashkëpunuar me Klosin dhe se paratë ia kishte dhënë vetë ajo për t’ia ruajtur pasi kishte konflikte me ish-bashkëshortin.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale në DVP Tiranë, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, sekuestruan pasuri të palujatshme në pronësi të shtetasit A. K., konkretisht një apartament dhe një garazh në rrugën "Kongresi i Lushnjës".

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.