Transmetuar më 09-02-2023, 15:00

Ish-kapiteni i “Djajve të Kuq” dhe i kombëtares franceze, sot 41 vjeç, nuk ishte i pranishëm në gjykatë në Paris të enjten, kur u gjobit me 1.000 euro dhe u urdhërua të paguante 2.000 euro kompensim për dy grupe fushatore kundër urrejtjes.

“Stop Homofobisë” dhe “Mousse” u ankuan në mars 2019 kur Evra postoi një video të tij në rrjetet sociale, pas një ndeshjeje midis Manchester United dhe Paris Saint-Germain.

Duke pretenduar se klubi i tij i vjetër ishte më “maço” se PSG, Evra nënvizoi: “Parizienë, ju jeni pedera**ë, ata që fituan janë burra të vërtetë”.

Shoqatat e cituara më sipër, të mbështetura nga kolektivi anti-homofobi “Rouge Direct” bënë menjëherë ankesë për “fyerje publike ndaj një grupi njerëzish për shkak të orientimit të tyre seksual”.

Gjyqtari hetues i çështjes e riklasifikoi denoncimin si :fyerje jo publike” dhe e dërgoi çështjen në Gjykatën e Policisë së Parisit.

Gjykatësi vendosi se Evra, i cili tani jeton në Dubai, ishte “shprehur në një mjedis privat për realizimin e një videoje, e cila më vonë u postua në Snapchat pa dijeninë e tij”.

Pas dënimit të së enjtes, avokati i palës ankuese, Etienne Deshoulieres, lëshoi një deklaratë: "Vërejtjet homofobike të një personaliteti si Patrice Evra nxisin urrejtjen dhe dhunën kundër personave LGBT, veçanërisht në vendet ku homoseksualiteti shtypet penalisht, si në Senegal, vendi nga vjen Patrice Evra”.

Evra lindi në Dakar, kryeqyteti i Senegalit, më pas u transferua në Paris si fëmijë i vogël.

Jerome Boursican, avokati i Evra, tha se klienti i tij "nuk kishte dashur të dëmtonte komunitetin homoseksual, në vend të kësaj ishte thjesht duke synuar fyerjet ndaj PSG".