
Ai është kthyer. Në pritje për ta parë në fushë, ndoshta të premten ndaj Torinos, nuk duket se e ka humbur vetëvlerësimin e kohëve më të mira. “Unë jam ende Zoti, jam ende numri një. Tani do të kthehem dhe do të ndryshoj muzikën”, – tha suedezi duke iu referuar krizës (lojë dhe rezultate) të Milanit.
Zlatan Ibrahimovic është i tillë. Kështu e pëlqejnë njerëzit që e duan. Duke folur për "Sportmediaset", ai u tregua më i karikuar se kurrë: “Dua shumë, dua të bëj shumë gjëra, të kompensoj ato që kam humbur në këto shtatë, tetë muaj. Kam humbur kohë".
Një kushtrim dhe për ekipin kuqezi, që ka hyrë në një tunel pa fund: “Krizë? Nuk jam i shqetësuar, këto janë momente normale brenda një kampionati. Tani duhet të flasim pak dhe të tregojmë vlerën tonë në fushë”.
Fjalë të denja për një lider, siç është Ibra, sidomos jashtë fushës. Fjalë që janë melodi, pikërisht në javën e Festivalit të Sanremos, për tifozët kuqezi. Pritet kthesa nga ekipi i tyre; fillimisht ndaj Torinos në Serie A, më pas Tottenhami i Antonio Contes në "San Siro" në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve.
“Është normale të marrësh kritika, – shton Zlatan, – sepse nëse nuk të kritikojnë nuk je dikushi. Ka 25 vite që më kritikojnë se jam numri një, jam mësuar. Është si të hedhësh karburant në zjarr dhe kur luan me zjarrin digjesh. A ndihem ende si Zot? Sigurisht, asgjë nuk ndryshon”.
Ibra është gati për rikthimin në fushë: “Jam mirë, po stërvitem me grupin dhe ndihem i lirë. Në këtë periudhë kam bërë gjithçka për të ndihmuar trajnerët, stafin. Isha i duruar, sepse më duhej të kthehesha hap pas hapi, rikuperimi po shkon sipas planit”.
Nga kulmi i moshës dhe mbi të gjitha i mësimdhënies së futbollit, ai nuk kursen këshillat për shokët e rinj në krizë identiteti: “Leao ka pasur një vit fantastik, ka fituar çmimin e lojtarit më të mirë në Serie A. Pastaj kontrata, klubet e tjera që të kërkojnë, Kupa e Botës dhe gjithçka tjetër.
Ai duhet të qëndrojë i fokusuar dhe të luajë futboll. Gjithçka tjetër zgjidhet, duhet të mendojë vetëm për të luajtur. Leao është bërë më i fortë se një vit më parë, vetëm këtë vit të gjithë e dinë se kush është dhe po i kushtojnë më shumë vëmendje”.
Fjalë inkurajuese ka edhe për De Ketelaere: “Në muajt e fundit nuk kam qenë çdo ditë me ekipin, për ta njohur mirë duhet të jem çdo ditë në dhomat e zhveshjes. Ka presione të mëdha edhe për çmimin e paguar, të gjithë kanë pritshmëri.
Ai është një talent, ka potencial të madh, vetëm duhet të gjejë rrugën e duhur për t’u rritur. Pastaj është në një qytet tjetër, larg shtëpisë dhe duhet të mësohet me këtë. Thjesht duhet të zhbllokohet".