Transmetuar më 06-02-2023, 23:26

TIRANË- Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Kastriot Robo, thotë se i vetmi rast që është ndjekur nga ambasada përsa i përket shtetasve shqiptarë në zonën e prekur nga tërmeti është humbja e kontakteve të familjarëve me njerëzit e tyre. Në një lidhje në "Opinion", Rodo tha se në një zonë të Turqisë ka ndodhur kjo gjë, por që ambasada mundësoi komunikimin e familjarëve në Ataj. Ai shtoi se çdo gjë është në rregull deri më tani.

Pjesë nga biseda:

Kastriot Robo – Ambasador i Shqipërisë në Turqi: Goditja e mesditës u ndje më shumë. Ajo e orës 4 e 17 minuta. Në njëfarë mënyre terrorizoi qytetarët e Ankarasë që sigurisht që e ndjenë dhe u terrorizuan nga ajo goditje. Ka një shpërndarje të frikës, por çdo gjë është e përqëndruar në 10 qytete që janë të prekur nga tërmeti.

Blendi Fevziu: A ka të dhëna për qytetarë shqiptarë që të kenë pasur probleme, a ka shumë qytetarë shqiptarë në këtë zonë sepse dëgjova që 2 shqiptare të Maqedonisë së Veriut ishin plagosur nga tërmeti, po shtetas shqiptarë, a ka pasur të dëmtuar?

Kastriot Robo – Ambasador i Shqipërisë në Turqi: Fatmirësisht nuk na rezulton që ka shtetas shqiptarë të prekur nga tërmeti. Ne sot kemi ndjekur vetëm një rast si ambasadë ku familjarët në Shqipëri kishin humbur lidhjet me njerëzit e tyre në qytetin e Atajit. Kjo ndoshta dhe për shkak të ndërprerjes së mundësisë së komunikimit mes tyre dhe pasdite mundësuam lidhjen dhe komunikimin me familjen shqiptare në zonën e Atajit dhe çdo gjë është në rregull.

Kufiri mes Turqisë dhe Sirisë është goditur ditën e sotme nga dy tërmete të fuqishme. I pari tronditi banorët rreth orës 04:17 dhe ishte 7.4 ballë. Ndërsa i dyti, 7.7 ballë ndodhi rreth orës 11: 24. Deri më tani, janë shënuar mbi 2701 viktima dhe mbi 10 mijë të plagosur. Lëkundja e parë tronditi banorët rreth orës 04:17 me epiqendër pranë qytetit të Gaziantep. Tërmeti i parë ndodhi 23 kilometra (14.2 milje) në lindje të Nurdagi, provincën Gaziantep, në një thellësi prej 24.1 kilometrash (14.9 milje), tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS). Nurdagi ndodhet përgjatë kufirit Turqi-Siri dhe tërmeti u ndje në disa vende të rajonit, duke përfshirë Sirinë dhe Libanin. Ndërtesat u shembën në Kahramanmaraş, Gaziantep, Diyarbakır, Malatya, Şanlıurfa, Adıyaman, Hatay, Adana dhe Osmaniye u shkatërruan. Tashmë ka nisur një operacion kërkim-shpëtimi. Paslëkundjet deri më tani raportohet të kenë qënë mbi 18.