Transmetuar më 06-02-2023, 11:21

Javën e kaluar shënoi golin e tij të parë zyrtar në ligën arabe, dje festoi ditëlindjen e 38-të me miqtë më të ngushtë. Cristiano Ronaldos në eksperiencën e re në Arabinë Saudite nuk i mungon asgjë.

Pavarësisht se është një fanatik dietash, futbollisti e festoi përvjetorin e tij me tri torta ditëlindjeje. Megjithatë, lista e festës së ditëlindjes ishte mjaft e ngushtë. Përveç fëmijëve dhe partneres së tij Georgina, kampioni portugez ka mundur të ftojë edhe pak persona të tjerë.

Në festën e ditëlindjes ishin agjenti i tij i ri Ricky Regufe, dy miqtë e vjetër Miguel Paixão dhe Jose Semedo, si dhe gazetari i “El Chiringuito”, Edu Aguirre në shoqërinë e gruas së tij Julia Salmeán.

Përtej të pranishmëve, lajm është mungesa e Jorge Mendes, ish-agjentit të Cristiano Ronaldos, me të cilin futbollisti iu dha fund marrëdhënieve të ngushta dhe të gjata pas transferimit nga Manchester United tek Al Nassr.

Ai konsiderohet si “babai sportiv” i CR7. Një personazh që e ka ndjekur hap pas hapi karrierën e kampionit portugez dhe që kohët e fundit është shkarkuar nga pesë herë fituesi i “Topit të Artë”.